Sport 11 orë udhëtim drejt Tiranës, aventura e tifozit të vetëm të Anglisë

11 orë udhëtim drejt Tiranës, aventura e tifozit të vetëm të Anglisë

Një tifoz i Anglisë ka ndarë praninë e tij të vetmuar në Tiranë, ku ka mbërritur për të ndjekur kombëtaren e zemrës, që fitoi 2-0 ndaj kuqezinjve. Rob Pomfret, i cili pretendon se po udhëton aktualisht në Ballkan, arriti në Tiranë pak përpara fillimit të kualifikueses së Botërorit 2022, e vlefshme për Grupin I. Ai tha se udhëtoi 11 orë me autobus për në Tiranë, që të jetë pranë kombëtares së “Tre Luanëve”.

Mediat britanike, shkruajnë se ndryshe nga Anglia, baret dhe restorantet janë të hapura në Shqipëri, çka do të thotë se kishte mundësi ta shikonte ndeshjen nga afër. Ky gjest i ka ndarë në mendime tifozët, me disa që theksojnë se Pomfret mund të rrezikojë një gjobë prej 5000 £ për thyerjen e kufizimeve të koronavirusit, të cilat nuk përfshijnë udhëtime të huaja për turizëm. Sidoqoftë, Pomfret thotë se nuk preket nga ky rregull, pasi ka udhëtuar nëpër Ballkan për disa kohë.

Ndërsa baret dhe restorantet janë të hapura, tifozët nuk lejohen të shkojnë nëpër stadiume. Federata Shqiptare e Futbollit kërkoi nga qeveria që deri në 6500 tifozë të vaksinuar (30 për qind e stadiumit) të merrnin pjesë në ndeshjen ndaj Anglisë, por u refuzua, shkruajnë mediat britanike.

Mbështetësit e “Tre Luanëve” u ndanë për veprimet e Pomret, me disa që e mbështetën atë, për të shfrytëzuar në maksimum një situatë të vështirë. Të tjerët përmendën se udhëtimi mund t’i kushtojë atij shumë më tepër sesa pritej, nëse gjobitet.