Kosova 14 të vdekur në Kosovë nga Covid-19. Vjosa Osmani shërohet dhe ka...

14 të vdekur në Kosovë nga Covid-19. Vjosa Osmani shërohet dhe ka një apel

Në Kosovë gjatë 24 orëve të fundit janë testuar 1340 qytetarë për Covid-19, ndërsa 555 prej tyre kanë rezultuar pozitivë. Të dhënat bëhen publike nga ana e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, i cili raporton se 14 qytetarë kanë humbur jetën, duke e çuar numrin total të viktimave në 1040, që nga fillimi i pandemisë.

“Numri total i rasteve pozitive është 40.672 raste nga 146.703 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 1.040 raste të vdekjes. Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 324 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 25.910 raste, kurse numri i rasteve aktive është 13.722”, theksoi IKSKSH-ja.

Vjosa Osmani shërohet dhe bën thirrje për kujdes: COVID-19 ka lënë shumë familje pa të dashurit e tyre

Presidentja në detyrë në Kosovë, Vjosa Osmani është shëruar nga COVID-19. Osmani nëpërmjet një video-je u është drejtuar qytetarëve duke iu bërë thirrje të mbrohen nga COVID-19.

“Jam rikthyer në zyre pas një izolimi dyjavor për shkak të virusit Covid-19. Kam bërë thirrje gjithnjë, e tani pas ekperiencës time dhe të familjes time me virusin, ju lutem sërish që të bëni kujdes të shtuar e të vazhdueshëm. Tashmë virusi është kudo. Ne ishim me fat ta luftojmë virusin me sukses, por, fatkeqësisht, ky nuk është fati i të gjithëve”, thotë Osmani.

Ajo ka shtuar se COVID-19 ka lënë shumë familje pa të dashurit e tyre.

“Covid-19 ka lënë shume familje pa më të dashurit e tyre, i ka rrëmbyer ata padrejtësisht pa pasur mundësinë për të dhënë përshëndetjet e fundit.

Derisa bashkëndjejmë me ata që janë goditur më së shumti, inkurajojmë ata që janë në vijën e parë të frontit me virusin, e nderojmë kujtimin e atyre që nuk janë më në mesin tonë, ky fundvit le të na shërbejë për të reflektuar mbi atë se çfarë çmojmë më së shumti në jetë, çka na bashkon dhe çfarë na jep motiv të dalim triumfues ndaj këtij armiku të përbashkët.

Të vlerësojmë e të jemi falënderues për njerëzit që janë në jetët tona, e mënyra më e mirë për t’u dëshmuar dashurinë e respektin në këto kohë është duke mbajtur distancën, pastruar duart, e duke mbajtur maskën.

Të gëzojmë bekimet tona duke treguar kujdes. Duke u kujdesur për veten, kujdesemi edhe për të tjerët. Prandaj, edhe njëherë: distanca, duart, maska! Faleminderit!”, përfundoi Osmani.