Është rritur në 17 numri i viktimave në Itali nga koronavirusi, ndërsa 650 numri i të prekurve. Tre viktimat e fundit, të raportuara pasditen e të enjtes nga shefi i Mbrojtjes Civile, Angelo Borrelli, janë në Lombardi, të tre mbi 80 vjeç. Ndërkohë numri i të shëruarve në Itali është 45.
Covid-19 është përhapur në të gjithë botën, ndërsa në Europë ka mbërritur edhe në tre shtete të tjera, si Danimarka, Rumania dhe Estonia, ndërsa në Spanjë numri i të prekurve ka arritur në 24. Në total, janë 11 shtete europiane që kanë konfirmuar raste me persona të infektuar.
Megjithëse rreziku i përhapjes së koronavirusit në Francë është tepër i lartë për shkak të Italisë, palët nuk do të mbyllin kufijtë. “Është një virus që na përket të gjithëve dhe situata do të zgjidhet vetëm përmes një bashkëpunimi të përkryer ndërkombëtar”, tha Presidenti francez Emmanuel Macron, gjatë një konference për mediat të përbashkët me Kryeministrin italian, Giuseppe Conte.