Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu në një komunikim live në Facebook ka falënderuar dhe ka shprehur mirënjohje të thellë për të gjitha bluzat e bardha që në këto ditë të vështira janë në vijën e parë të luftës kundër koronavirusit.
Manastirliu u shpreh se 2268 mjekë, infermierë, farmacistë, ekspertë të shëndetit publik, studentë të Mjekësisë, i janë përgjigjur thirrjes së Ministrisë së Shëndetësisë për t’ju bashkuar frontit të parë të luftës me COVID-19.
“Për të koordinuar përfshirjen dhe angazhimin e tyre, kam caktuar doktor Krenar Lilën, mjek reanimator në QSUT, si koordinator i punës për shërbimin e anaztezi-reanimacionin në të gjithë strukturat spitalore, që do të trajtojnë peronat me COVID-19. Kam caktuar profesor Arben Gjatën përgjegjës për burimet njerëzore në shkallë vendi, të mjekëve ekzistues dhe të vullnetarëve”, tha ministrja.
Ndërkaq ajo u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të ndajnë më mjekët çdo informacion në lidhje me lëvizjet apo kontaktet, për t’i mbrojtur ata nga infektimi.
“Kështu ua lehtësoni punën atyre mijëra epidemiologëve, mjekëve dhe infermierëve që në këto orë janë duke punuar me vetëmohim në shërbim të popullit”.
Ndërsa kryeministri Rama bashkangjitur reagimit të ministres, ka bërë thirrje që të minimizohen lëvizjet.
“Mos lëvizni në rrugë as me këmbë nëse nuk e keni të domosdoshme! Ju lutemi”.