Aktualitet 33-vjeçari dhunon të riun, shokët e tij pengojnë policinë ta arrestojë

33-vjeçari dhunon të riun, shokët e tij pengojnë policinë ta arrestojë

Tre persona janë arrestuar nga blutë e kryeqytetit pasi u përfshinë në një konflikt me një 28-vjeçar. Ky i fundit u dhunua me grushte dhe sende të forta nga 33-vjeçari me iniciale F.K., duke pësuar dëmtime të rënda.

Ngjarja ka ndodhur në Fushë-Mëzez pas një debati për motive banale. Policia arrestoi autorin që dhunoi 28-vjeçarin. Por në momentin teksa punonjësit e forcës së posaçme “Shigjeta” po shoqëronin 33-vjeçarin, ndërhynë dy miqtë e tij F.D. 39 vjeç dhe H.H. 35 vjeç.

Ata kundërshtuan arrestimin e tij dhe goditën punonjësit e policisë. Të dy u vunë në pranga për veprën penale të goditjes për shkak të detyrës, ndërsa 33-vjeçari akuzohet për plagosje të rëndë me dashje.