Politika 83% e të rinjve pro anëtarësimit të Shqipërisë në BE

83% e të rinjve pro anëtarësimit të Shqipërisë në BE

Një anketim online i World Vision Albania tregon se 83% e të rinjve shqiptarë duan që vendi ynë të anëtarësohet në Bashkimin Evropian. Të drejtat studimore dhe njohja e diplomave janë ndër arsyet që ata rendisin si më të rëndësishmet në këtë drejtim. “Ata kërkojnë të jenë të barabartë e të kenë të njëjtat mundësi, të drejta dhe detyrime si bashkëmoshatarët e tyre në vendet e BE. 66% e fëmijëve dhe të rinjve vlerësojnë që lëvizja e lirë dhe studimet jashtë vendit janë arsyet kryesore që të rinjtë do të përftojnë nga anëtarësimi në BE”, shprehet World Vision në eventin final të projektit “Të rinjtë për një Shqipëri Evropiane”.

Ky aktivitet është zhvilluar online dhe ka bërë bashkë të rinj përfaqësues të 11 rajoneve ku është zbatuar ky projekt, anëtarë të komunitetit si dhe përfaqësues nga Bashkimit Evropian në Shqipëri, EU Desks pranë bashkive, përfaqësues nga Drejtoria e Përgjithshme e Financimeve dhe Kontraktimeve për fondet e BE-së, BB-së dhe donatorëve të tjerë (CFCU), World Vision Albania, organizatat “Albanian Center for Competitiveness and International Trade” ACIT dhe “Changing the Future” CtF.

“Në fokus të punës së World Vision Albania është ndërtimi i aftësive të reziliencës te fëmijët, të rinjtë dhe familjet në Shqipëri dhe Kosovë, por më lejoni të them që sot unë ndihem si një “nxënëse” teksa ju dëgjoj ju se sa rezilient u treguat, kurajozë, krijues dhe vijuat misionin tuaj si grupe për të ndarë vlerat e bashkimit evropian në komunitetet tuaja. Mendoj që të gjithë ne të rriturit qofshim në pozicione drejtues organizatash, institucionesh e donatorësh duhet ti mbajmë gjatë në kujtesë mesazhet që ju ndatë. I kthehem titulli të këtij projekti” Building European Youth at home”, kjo shtëpia jonë e vogël Shqipëria, sot ka një sërë sfidash, më e madhja prej tyre, një proces i gjatë ringritja pas dy emergjencave të mëdha që kaq shumë kanë afektuar komunitetin ku ne jetojmë por sot ju bëj një premtim: WVA do vazhdojë të punojë fort me grupet informale të të rinjve me familjet tuaja në komunitetet tuaja dhe thirrja ime është për çdo organizatë të shoqërisë civile, institucion, donator që së bashku të ringrejmë Shqipërinë në aspektet që është goditur më shumë si në ekonomi, shërbime shoqërore, arsim dhe ju, të rinjtë padyshim që keni një rol kyç për të luajtur, jo vetëm të jeni pjesë e zgjidhjes por dhe të na mbani përgjegjës të gjitha palëve.”-u shpreh ndër të tjera, drejtoresha e World Vision Albania, Eljona Boçe Elmazi.

Të rinjtë patën mundësinë të ndajnë disa nga praktikat më të mira, histori suksesi si dhe mesazhe për institucionet lokale dhe kombëtare në mënyrë që të sigurohen standarde që të rinjtë shqiptarë të prekin ëndrrën evropiane. “Të mbjellim shpresën tek te rinjtë, të gjithë pothuajse e shohin të ardhmen e tyre larg Shqipërisë, madje përgatiten këtu për tu larguar. Ndaj thirrja jonë është që çdo institucion të kujdeset për të mos e humbur këtë fuqi që ka, duke hapur vende pune, për të nxitur sipërmarrjen si dhe të krijojë programe për ti mbështetur të rinjtë që e aspirojnë arsimin gjatë gjithë jetës, punësimin, artin, sportin, kulturën etj.” – thotë Shefqeti, një i ri nga Vlora.

Rreth 900 të rinj nga 11 rajone të Shqipërisë, për 20 muaj janë përfshirë në zbatimin e aktiviteteve të projektit. Në 11 rajone të Shqipërisë: Dibër, Bulqizë, Durrës, Elbasan, Kurbin, Lezhë, Librazhd, Korçë, Shkodër, Tiranë dhe Vlorë janë zhvilluar forume rajonale, 43 nisma dhe debate në nivel lokal dhe kombëtar.