Aktualitet SPAK sekuestron pasuritë bashkëpunëtorit shqiptar të klanit mafioz italian

SPAK sekuestron pasuritë bashkëpunëtorit shqiptar të klanit mafioz italian

SPAK ka sekuestruar pasurinë e Bledar Seferit, i arrestuar si bashkëpunëtor i shtetasit italian Giovanni Di Cosimo, i cilësuar si një nga bosët e klanit mafioz Di Cosimo në Bari.

Bëhet fjalë për një fabrikë për prodhimin e lëndëve plastike në Shijak, Durrës, tokë arë, makina dhe llogari bankare.

“Ka rezultuar se Bledar Seferi (alias Hakorja), ka pasur lidhje me shtetasin Giovanni Di Cosimo dhe pjestarë të tjerë të grupit kriminal në Itali e Shqiperi dhe është i përfshirë në aktivitet kriminal të trafikimit të lëndëve narkotike në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”, thuhet në njoftimin për median të SPAK

Hetimi

Hetimet nisën nga një skuadër e përbashkët hetimore me autoritetet italiane të drejtësisë. Dosja është në dorë të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë. Ndërsa sekuestrimi i pasurisë u bë në kuadër të hetimit të procedimit penal Nr.94 i vitit 2019 për veprat penale të “Trafikimit të narkotikeve”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 283/a, 287 dhe 333/a të Kodit Penal.

Pas verifikimit pasuror për Bledar Seferin (alias Hakorja), si dhe për familjarët e tij, Prokuroria e Posaçme ka konstatuar pasuri të pajustifikuara, për të cilat është kërkuar sekuestrimi në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Me vendimin Nr.03 datë 07 shkurt 2020, gjykata vendosi sekuestrimin e pasurive dhe ekzekutimi i vendimit nga strukturat e policisë gjyqësore u bë më 11 shkurt 2020.

Pasuritë e sekuestruara

Një fabrikë për prodhimin e lëndëve plastike në Shijak, Durrës. Asetet, aksionet/kuotat dhe pasuritë e subjektit “REY PLASTICA” sh.p.k. me NIPT L71325502Q, me status aktiv.

Pasuria e llojit Arë+Truall me sipërfaqe 5954 m², nga kjo sipërfaqe ndërtesë 3070 m², ndodhur në Durrës. Në këtë pasuri ushtron aktivitetin subjekti “REY PLASTICA” sh.p.k.

Pasuria e llojit ullishtë me sipërfaqe 6550 m², ndodhur në Tiranë.

Automjetet e markës “Fiat”, modeli 500, viti prodhimit 2008 dhe markës “Land Rover”, modeli RANGE ROVER, viti prodhimit 2014;

Automjet i markës “AUDI”, modeli A2, viti prodhimit 2001;

Automjet i markës “Fiat”, modeli 500L, viti prodhimit 2014;

Automjet i markës “Mercedes Benz”, modeli B180 CDI, viti prodhimit 2012;

Llogari bankare në shumën 3.103.244 lek.

Llogari bankare në shumën 21.022 euro.

Kush është Bledar Hakorja?

I lindur ne Brezhdan të Dibrës, i datëlindjes 09.07.1980 Hakorja u arrestua ne vitin 2010 për trafik ndërkombëtar droge, sebashku Arbri Goga, të dy rezident në Firence, ndërkohë që lëviznin në Perugia dhe Romë. Droga vinte nga Brazili dhe në aksionin e finalizuar nga policia Italiane janë konfiskuar 26 kilogram kokainë dhe për këtë janë vendosur në pranga 26 persona, mes të cilëve dhe Bledar Seferi (Hakorja)

Kush është Giovanni di Cosimo?

Shtetasi italian Giovanni Di Cosimo u arrestua më 5 dhjetor 2018 në Durrës pasi ishte shpallur në kërkim nga autoritetet italiane prej qershorit të 2017, si një nga bosat e klanit mafioz Di Cosimo në Bari. Arrestimi i tij është bërë në kuadër të një operacioni të antimafias së Barit i cili shkatërroi dy klane mafioz të familjeve Di Cosimo, Rafaschieri e Striscuglio që vepron në lagjet Madornella e San Paolo të Barit. Sipas Antimafias Italiane Gioavanni Di Cosimo nga qytetit i Durrësit ku ishte fshehur organizonte aktivitetin kriminal të dy grupimeve mafioze që bashkëpunonin mes tyre.