Presidenti francez Emmanuel Macron deklaroi këtë shtunë se ai do të lejojë që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të fillojnë bisedimet për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, nëse raporti i Komisionit Europian do të ketë një vlerësim pozitiv muajin e ardhshëm.
Ai kundërshtoi përshtypjen e krijuar, se vetëm Franca e kishte bllokuar vendimin e çeljes së negociatave. Ka pasur shumë vende të tjera pas “jo” së Francës, tha ai.
Në tërësi presidenti francez shprehu dyshime për politikën e zgjerimit të BE. Një politikë e njësuar e jashtme kundrejt Turqisë apo Rusisë është gati e pamundur me më shumë se 30 anëtarë. Ai kërkoi që në vend që të fiksohet tek bisedimet e anëtarësimit, BE duhet të investojë tek shtetet e Ballkanit Perëndimor.
Në fjalimin e mbajtur në Konferencën e Sigurisë në Mynih, presidenti francez, Emmanuel Mcron kërkoi një temp më të shpejtë nga Gjermania në drejtim të reformimit të Europës. Ai nuk është “i zhgënjyer”, por “i paduruar” lidhur me reagimet e rezervuara të Berlinit lidhur me ofertën për dialog mbi armët atomike, tha Macron. Në kuadër të Konferencës së Sigurisë, Macron u takua edhe me disa politikanë gjermanë që mund të jenë kandidatë për kancelar e mund të pasojnë Angela Merkelin në postin e kancelares.
Për shkak të problemeve urgjente që ka BE, Macron kërkoi “përgjigje të qarta” të Gjermanisë dhe Francës. Ai kritikoi që Gjermania dhe Franca në marrëdhëniet e tyre kanë një “histori pritjeje për përgjigjet”. Por në vitet e ardhshme do të duhet të zhvillohet më shpejt “sovraniteti në nivel europian”. Për shkak të rritjes së refuzimit në popullsi, “aventura europiane” duhet të marrë një “dinamikë të re”, tha Macron.