Sport Ndëshkim edhe në kampionat, Guardiola dhe yjet braktisin Sitin

Ndëshkim edhe në kampionat, Guardiola dhe yjet braktisin Sitin

Sikur të mos mjaftonte përjashtimi nga Europa për dy vitet e ardhshme, Mançester Siti rrezikon të dënohet edhe në Premier League. Sipas tabloidit “Independent”, të shkelësh rregullat e “Fair-Play”-it financiar, në të njëjtën kohë do të thotë të shkelësh edhe rregullat e brendshme të kampionatit.

Rreziku për Mançester Sitin është një ndëshkim i dyfishtë, një dënim i fortë me heqje pikësh nga kampionati aktual, por mund të shkojë edhe deri në zbritjen në Championship, pra një kategori më poshtë. Në këtë rast “qytetarët” nuk do t’i shpëtonte as rekursi në KAS. Te Mançester Siti vazhdojnë të dridhen ende. Pas dënimit të UEFA-s me dy vite jashtë Championsit, është gati edhe dënimi në kampionat. Një situatë që e dëmton rëndë imazhin e ekipit anglez, që tani rrezikon të humbë yjet e tij.

Menjëherë pas lajmit të dënimit të Mançester Sitit, kanë nisur aludimet për të ardhmen e Pep Guardiolës dhe të disa prej lojtarëve më të mirë të këtij ekipi. Barcelona, Juventusi dhe PSG-ja janë tri skuadrat që konsiderohen si stacioni i radhës i trajnerit spanjoll. Mund të kemi një rikthim në shtëpi të katalanasit, duke parë edhe situatën që po kalon Barcelona aktualisht. Po ashtu, ka aludime për një kalim te Juventusi, ku Guardiola do të kërkonte edhe Lionel Mesin, ndërsa Franca është opsioni i tretë.

Mançester Sitin pritet ta lënë në këtë situatë edhe lojtarët e tij më të mirë. Sane, Sterling dhe De Bryjne mund të jenë më të kërkuarit në treg, për shkak edhe të moshës së tyre të re, por eksodi sigurisht që do të jetë i madh nga kampionët në fuqi të Anglisë.