Këshilli për Bashkëpunim Rajonal (RCC) organizoi video-konferencën konsultative me përfaqësuesit e gjashtë qeverive të Ballkanit Perëndimor, me BE-në dhe aktorë të tjerë rajonalë për veprime të përbashkëta për të minimizuar pasojat e pandemisë së shkaktuar nga Covid-19
Sarajevë/ “Këto janë ditë ku shumëçka ndodh me minuta, si në Bashkimin Europian ashtu dhe në rajonin tonë, dhe koha, shkëmbimi i informacionit dhe koordinimi luajnë një rol kyç. Bashkëpunimi është thelbësor për të pasur një reagim të efektshëm për të luftuar pandeminë. Është me shumë rëndësi të mbeten hapur ‘korridoret brenda rajonit për furnizimet me ilaçe, pajisjet mjekësore dhe ushqime.
Ne kemi përgjegjësinë të reagojmë në mënyrë urgjente dhe të japim kontribut vendimtar në sigurimin e vazhdimësisë se aktivitetit ekonomik, ruajtjen e funksionimit të zinxhirëve ushqimorë dhe parandalimin e përkeqësimit ndaj vështirësive socio-ekonomike që po përjeton tashmë rajoni ynë”, thotë shefja e Këshillit për Bashkëpunim Rajonal, Majlinda Bregu, duke iu drejtuar pjesëmarrësve në video-konferencë.
Pjesëmarrës të këtij takimi online, ishin përfaqësues nga qeveritë; e Shqipërisë, Bosnje e Hercegovinës, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, Serbisë, Bashkimit Europian, Komunitetit për Transportin (TC) dhe CEFTA-s të cilët raportuan situatat aktuale respektive të ekonomive / fushat ku po punohet dhe planet e ardhshme, ku të gjithë theksuan rëndësinë jetike të mbajtjes hapur së ‘korridorit të gjelbër’ brenda rajonit dhe BE-së.
“Këshilli për Bashkëpunim Rajonal është i gatshëm të vijojë së ofruari lehtësira përmes kësaj platforme të shkëmbimit të informacionit mes gjithë palëve të interesuara, gjithashtu për zgjerimin e këtij rrjeti për të gjithë pjesëmarrësit nga Europa Juglindore dhe vendet fqinje, përmes komunikimit të rregullt, për të kontrolluar situatën në terren dhe rishikimin e opsioneve për trajtim. Siç u dakordësua, hapi ynë i radhës është përgatitja e konkluzioneve të përbashkëta për t’i mundësuar rajonit që të punojë në ngritjen e korridorit të përbashkët që mundësin qarkullimin lehtësisht të mallrave brenda rajonit dhe më gjerë. Një nismë e tillë është ngritur mbi principet e sigurimit të vazhdimësisë ekonomike, duke shmangur ndërprerjet në shpërndarjen e mallrave dhe duke garantuar kështu shërbimet thelbësore në Ballkanin Perëndimor edhe më gjerë, në mbrojtje të shëndetit dhe jetës së qytetarëve tanë”, deklaroi Bregu duke shtuar se kërkesa rajonale për Bashkimin Europian do të ishte alokimi i fondeve të papërdorura të IPA-së, për t’ju përgjigjur kërkesave të mundshme emergjente nga rajoni.
Takimi i sotëm Online është pjesë e reagimit rajonal ndaj krizës globale që ka shkaktuar pandemia e virusit ‘corona’, që së pari paraqet rrezik për shëndetin e qytetarëve, por gjithashtu pritet të shkaktojë humbje domethënëse ekonomike për shkak të izolimeve ekonomike. Deri më sot, katër nga gjashtë ekonomitë e vendeve të Ballkanit Perëndimor kanë shpallur gjendjen e emergjencës kombëtare, dhe ku numërohen me mbi 400 persona të infektuar me Covid-19.