Kryetarja e Komisionit Europian, Ursula Von Der Leyen ka kërkuar një lloj ndjese publike ndaj Italisë për braktisjen që iu bë vendit më të goditur nga pandemia e CoVid-19 në fillimet e krizës. Përmes një letre të drejtuar në gazetën “La Repubblica”, Von der Leyen shkruan se “vetëm solidariteti mund të na bërë të ringrihemi nga kjo krizë, solidaritet mes njerëzve dhe ai mes shteteve”.
“Sot Europa po mobilizohet në krah të Italisë. Për fat të keq nuk ka qenë kështu përherë. Duhet pranuar se në ditët e parë të krizës, përballë nevojës për një përgjigje të përbashkët europiane, ishin të shumtë ata që menduan vetëm për problemet brenda shtëpisë së tyre. Nuk e kuptonin se mund ta mundim këtë pandemi, vetëm së bashku, si Bashkim. Ishte një sjellje e dëmshme që mund të evitohej. Në këto ditë distance mes individëve është fondamentale për sigurinë tonë: distanca mes kombeve europiane, përkundrazi, na vendos të gjithëve në rrezik”, shkruan von der Leyen.
Ndoshta është një akuzë apo kritikë, autokritikë madje edhe për Gjermaninë që hezitoi të pranonte si të vërtetë alarmin e Italisë, apo ta konsideronte atë si një mjet për presion gjeopolitik. Ajo nuk ka përmendur me emra kush janë ata që sipas saj panë brenda shtëpisë, por gazeta ka marrë lirinë që në rreshtat e kritikave të bashkëlidhë shkrime të vetat që denoncojnë pikërisht këtë mungesë solidariteti. Nuk është e qartë sa etike është nga pikëpamja editoriale një veprim i tillë, por duket se italianët ndihen me të vërtetë të fyer dhe braktisur nga kjo sjellje e Europës.
Von der Leyen shkruan edhe për nismat ekonomiko-financiare si ai për kompensimin me fonde europiane të pagesës së papunësisë për italianët që nuk mund të shkojnë aktualisht në punë.
“Ekzistojnë instrumente në nivel kombëtar për të ndihmuar punëtorët dhe sipërmarrjet në kohë krize, por situate e tanishme po vë në provë të rëndë financat e vendeve europiane. Europa do të japë një dorë, duke lëvruar fonde të reja për të financuar pagesat. Unioni do të akordojë deri në 100 miliardë euro që do të shkojnë në vendet më të goditura duke nisur nga Italia për të kompensuar reduktimin e pagave të atyre që punojnë në orar të kufizuar”, shkruan ajo.
Duket se BE-ja është zgjuar nga ajo që duket se është një krizë që do të vërë në provë aftësinë për t’u afirmuar si një union real dhe jo strukturë që paraziton mbi një projekt të vjetër.