Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj ka propozuar që qeveria të shpallë të premten dhe të hënën ditë pushimi, përveç fundjavës, deri kur të rifillojë procesi mësimor.
Gjatë fjalës së tij në seancën parlamentare, Beqaj tha se qëllimi i këtij propozimi është të ndihmojë ekonominë vendas pas krizës për shkak të përhapjes së koronavirusit, duke marrë parasysh që qytetarët shqiptarët po lëvizin dhe vizitojnë bregdetin e vendit këtë periudhë.
“Fakti që u bë e treta javë, që në fundjavë ka një ngarkesë të madhe trafiku tregon se shqiptarët edhe po lëvizin. Dhe këtu i kërkoj qeverisë që nga sot, deri në 14 shtator, kur fillon shkolla janë 9 javë, të mund të marrë në konsideratë që në 2 ose 3 fundjava ta bëjë ditë pushim edhe një të premte dhe një të hënë, për t’ju thënë mundësin njerëzve që të kenë më shumë alternativa pushimi, të mos mbivendosemi të gjithë në gusht dhe kështu që do të kemi mundësi të pushojmë, të çlodhemi por edhe të ndihmojmë ekonominë vendase. Nëse nga sot për 9 javë mund të shpallim tre fundjava, që janë nga e premtja në të hënë, pra janë praktikisht 4 ditë pushimi”, tha Beqaj.