Një skenë e shëmtuar ka ndodhur në rrugët shqiptare, ku një automjet është fotografuar duke tërhequr zvarrë një qen. Këto foto kanë bërë xhiron e rrjeteve sociale, për të cilat ka reaguar ashpër edhe ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri.
Në një reagim në Facebook, Tahiri dënon këtë veprim, por edhe ato institucione që nuk kanë reaguar ndaj sjelljes së këtij shoferi.
“E trishtë dhe neveritëse! Kafsha është ai në timon, ata që heshtin dhe ata që kanë për detyrë të reagojnë e nuk e kanë bërë”, shkruan Tahiri në Facebook.
Pas zemëratës në rrjetet sociale, policia është vënë në lëvizje dhe ka zbuluar se shoferi që tërheq zvarrë me makinë qenin është nga Sukthi i Durrësit. 50-vjeçari me iniciale F.P. u shoqërua në Drejtorinë e Policisë së Durrësit dhe u procedua penalisht në gjendje të lirë për veprën penale të keqtrajtimit të kafshëve, si dhe është gjobitur në bazë të Kodit Rrugor.