Nga Florion Metohu
Duket se nuk do të jetë një fund viti i qetë për “Carin” e ri të Rusisë, Vladimir Putin. Një përfundim ky që, po të kthesh kokën mbrapa, në gjysmën e parë të 2020, asnjë analist nuk do ta kishte parashikuar.
Në fakt, ajo periudhë ishte një shprehje e vërtetë triumfaliste e asaj që shumë ekspert të politikës ndërkombëtare përshkruajnë Putin si një strateg të jashtëzakonshëm të lojës gjeopolitike botërore. Një strateg që ka arritur të luajë më mirë se kundërshtarët e tij perëndimor shahun e marrëdhënieve ndërkombëtare.
Suksesi relativ i ndërhyrjes ushtarake në konfliktin Sirian, në krah të Bashar al Asad dhe koordinimi me regjimin e Ajatollahëve të Iranit duket se e kanë kthyer fuqishëm Rusinë në Lindjen e Mesme. Ky sukses galvanizoi Moskën për një tjetër ndërhyrje në krahë të rebelëve libian kundër autoritetit legjitim të Tripolit të njohur nga OKB.
Por më shqetësuese për elitat perëndimore, ishte fushata e jashtëzakonshme propagandistike dhe dizinformuese që përdori Kremlini gjatë pjesës së parë të këtij viti, për të deligjitimuar dhe denigruar institucionet demokratike perëndimore. Një fushatë për ti përshkruar këto institucione në sytë e qytetarëve të vet si të paafta për të përballuar me sukses pandeminë e Covid-19, me origjinë nga Kina, që pllakosi gjithë Botën.
Rasti i Italisë ishte nga më eklatantët e shprehjes së kësaj fushate dizinformuese, të konfirmuar edhe nga European External Action Service, por të mbështetura nga disa media të ekstremit të majtë dhe të djathtë italian, me qëllim bërjen për vete të një “miku të ri” brenda BE-së. Ushtria ruse filloi të dërgonte ndihma mjekësore për në Itali pasi mori një urdhër nga Presidenti Vladimir Putin, një gjest i vullnetit të mirë që Moska e etiketoi “From Russia ëith Love”.
Sigurisht, e gjithë ajo propagandë mbështetej në numrin relativisht të ulët të të infektuarve që deklaroheshin nga Moska zyrtare, duke amplifikuar narrativën e një shteti efiçent dhe efikas në përballimin e krizës shëndetësore, në krahasim me vendet perëndimore. Po të llogaritësh fshehjen e vërtetë të numrave të të sëmurëve dhe pompozitetin me të cilin u deklarua gjetja e një vaksine funksionale kundër Covid-19 nga ana e autoriteteve ruse, ajo që propaganda e Kremlinit e shiti si momenti “Sputnic 2”, atëherë e gjithë korniza e fushatës dizinformuese kompletohet në funksion të bombardimit të publikut perëndimor dhe delegjitimimin e të gjithave institucioneve demokratike.
Por gjerat kanë ndryshuar shumë këto kohët e fundit. Vaksina e famshme ruse kundër Covid-19 nuk i gjendet më as nam e as nishan dhe askush në Kremlin nuk flet më për të. Gjithashtu Rusia ka filluar hapjen e klinikave të përkohshme për të përballuar numrin në rritje të pacientëve me koronavirus, ndërsa numri i vdekjeve në mbarë vendin nga virusi kaloi 25,000. Infeksionet e reja ditore arritën rekord, me autoritetet që raportuan 15,971 raste me koronavirus, duke e çuar totalin në mbarë vendin në 1,463,306, i katërti më i lartë në botë. Moska zyrtare ka deklaruar mbylljen e të gjithë kufirit deri në fund të vitit me qëllim zvogëlimin e infeksioneve dhe është shenja më e qartë e mashtrimit të prodhimit të një vaksine.
Duke mos mjaftuar emergjenca shëndetësore, Vladimir Putin, i cili ka dashur gjithmonë ta portretizojë veten e tij si burrë i fortë shteti dhe garantues i stabilitetit, brenda dhe jashtë vendit, tani po përballet me kriza të njëpasnjëshme midis fqinjëve të vendit të tij, duke i shtuar një provë tjetër të pa padëshiruar të rolit të Moskës si garante rajonale.
Nga Bjellorusia në Kaukaz, Kremlini nuk mund t’i lërë rezultatet e këtyre krizave në dorë të fatit. Megjithatë, rajoni post-Sovjetik është atomizuar, fuqia ekonomike e Rusisë është mavijosur dhe rrjedhimisht fuqia e saj influencuese dhe imponuese është zvogëluar, duket e ulur oreksin për ndërhyrje ushtarake të Moskës.
Gjithashtu nuk është më fuqia e vetme rajon. Ashtu siç e përkufizon Clara Ferreira Marques në një shkrim për Bloomberg, pas viteve trazirash dhe izolimit të shtuar të Rusisë, oborri i shtëpisë së Moskës nuk është më ai që ishte. Një botë multi-polare po shfaqet, por jo ajo që Putin ka kërkuar të promovojë. Kina është gjithnjë e më e pranishme si një partner kryesor tregtar dhe përbën pjesën më të madhe të investimeve të huaja direkte në Azinë Qendrore. Pastaj është Turqia në Kaukaz dhe Irani. Udhëheqësi turk Rexhep Tajip Erdogan ka përdorur me shkathtësi konflikte të jashtme për të forcuar mbështetjen e tij të brendshme.
Sipas analistëve të ndryshëm të politikës ndërkombëtare, kjo mund të jetë periudha më e vështirë që Vladimir Putin mund të ketë kaluar gjatë gjithë periudhës 20-vjeçare të “mbretërimit” të tij. Sigurisht që aura e hegjemonisë është akoma atje, e ushqyer nga Kremlini, i cili sheh një rol superfuqie për Rusinë kudo, nga Libia në shtetet post-Sovjetike. Por vendi ishte i përgatitur keq për një krizë shëndetësore botërore dhe për krizat e ndryshme përgjatë kufirit të tij, që duhet të ishin të parashikueshme.