Shqipëria ka regjistruar edhe sot një numër të lart fatalitetesh për shkak të koronavirusit. 21 jetë të humbura u regjistruan në 24 orët e fundit, duke shënuar për herë të katërt shifrën më të lartë të viktimave që nga shfaqja e virusit në vendin tonë.
Viktimat janë të moshave nga 44 deri në 90 vjeç dhe 6 prej tyre janë nga Tirana, 2 Fieri, 2 nga Shkodra dhe 2 nga Lushnja, ndërsa nga 1 jetë të humbur patën Kuçova, Kavaja, Cërriku, Peqini, Pogradeci, Elbasani, Kurbini, Bulqiza dhe Korça.
Situata është shqetësuese edhe për shkak të ngarkesës që kanë spitalet Covid dhe ato rajonale.
Nga 609 pacientë që ishin të shtruar të enjten në Tiranë dhe rrethe, këtë të premte Ministria e Shëndetësisë raportoi për 638 pacientë të hospitalizuar, 37 prej tyre në terapi intensive, nga të cilët 9 të intubuar në gjendje të rëndë.
Ulet numri i testimeve- Rënia e numrit të testimeve duket se ka sjellë edhe uljen e numrit të rasteve të reja të infektimeve. Nga 3171 testime kanë rezultuar pozitivë 780 qytetarë.
Harta e përhapjes së virusit edhe për këtë 24 orësh është e shtrirë në gjithë vendin, por Tirana vijon të jetë vatra më e madhe e pandemisë me 274 raste, e ndjekur nga Durrësi me 49, Elbasani me 44, Shkodra me 42 dhe Saranda me 39.
Ministria bëri të ditur se gjatë të premtes janë kryer 1440 vaksinime të tjera, duke e çuar në 18,247 numrin total të të vaksinuarve.