Me anë të një deklarate për mediat të zëdhënësit Tedi Blushi, Presidenca ngriti akuza se disa persona kanë përdorur numrin e telefonit të Ilir Metës për të kërcënuar qytetarët.
Blushi u shpreh se do të kërkohet një hetim i menjëhershëm edhe ndërkombëtar.
“Dënojmë me forcë konsumimin e veprës penale të keqpërdorimit të mesazheve telefonike, gjoja në emër të kreut të shtetit nga disa persona të identifikuar, që sipas të dhënave të siguruara, kanë dërguar këto ditë mesazhe me përmbajtje fyese dhe kërcënuese në adresë të disa qytetarëve. Këto akte të dëshpëruara kanë për autor të gjithë ata që blenë dhe i vodhën mandatet më 25 prill dhe tani nuk po i gëzojnë dot. Duke i kërkuar ndjesë të gjithë qytetarëve që kanë marrë mesazhe të tilla gjoja në emër të presidentit, ju lutemi të na vini në dijeni menjëherë. Për këtë skandal kriminal dhe të dënueshëm ligjërisht të keqpërdorimit të numrit personal të telefonit të presidentit, do të kërkohet një hetim i menjëhershëm edhe ndërkombëtar”.
Sipas zëdhënësit të Presidentit, këto mesazhe kanë vetëm një përgjegjës, organizatën e Rilindjes, siç ai e quajti.