Një bomber i huaj si Dusan Vlahovic nuk shihej në Firenze që nga koha e Gabriel Omar Batistutës dhe ndonëse krahasimi me “Mbretin Luan” është ende i hershëm për t’u bërë, numrat e sulmuesit serb janë vërtetë impresionues.
Pas një starti sezoni jo në nivelin e duhur, me vetëm një gol në 11 ndeshjet e para, sulmuesi serb ka shpërthyer duke shënuar plot 20 herë në javët e ardhshme, duke shkuar në kuotën e 21 realizimeve, aq sa ka shënuar edhe një bomber si Romelu Lukaku.
Këto numra e vënë Vlahovic në vitrinën e futbollit europian dhe për shkak edhe të moshës në favor, klube të shumta janë vënë në lëvizje për të marrë shërbimet e tij, duke nisur nga Milani e Roma në Serinë A, për të vijuar më pas me Liverpool, Atletico Madrid e Liverpool.
Fiorentina ka një “diamant në dorë”, por e di mirë që nuk mund ta mbajë gjatë në “Artemio Franchi”, pasi kontrata e sulmuesit serb skadon në verën e 2023-shit dhe Rocco Commisso është gati të përfitojë nga ankandi i krijuar, për të fituar sa më shumë nga shitja e tij.
Çmimi minimal për kartonin e Vlahovic është 40 milionë euro, por golat e shumtë nga java në javë dhe përfshirja në garë e klubeve më të mëdha europiane, mund të bëjnë që Fiorentina të përfitojë deri në 60 milionë euro nga serbi.