Sport Lewandowski: Nuk jam i fiksuar pas rekordit, dua të fitoj Champions përsëri

Lewandowski: Nuk jam i fiksuar pas rekordit, dua të fitoj Champions përsëri

Robert Lewandowski u dëmtua në momentin më të rëndësishëm të sezonit. Bomberi polak humbi dy takimet çerekfinale të Champions League kundër PSG. Bayern Mynih u eliminua, por të shtunën fitoi titullin numër 31 në Gjermani, aty ku dominon prej dekadash.

Lewa u rikthye me një tregolësh në triumfin 6-0 ndaj M’Gladbach. 39 gola sezonalë në Bundesligë dhe vetëm një larg rekordit të legjendës Gerd Muller. Ka edhe dy ndeshje për ta thyer, por nuk është i fiksuar rreth këtij synimi.

Në prononcimin e dhënë për Sky Sport.de, 32-vjeçari komenton fitoren e titullit kampion, rekordin e golave dhe objektivin e madh për sezonin e ardhshëm. Në stol do të jetë Julian Nagelsmann, ndërsa Lewandowski me shokë do të synojnë triumfin në Champions League.

“Provova një ndjesi shumë të bukur. Ishte mundësia perfekte të konfirmonim që e meritojmë të jemi kampionë të Gjermanisë. Rekordi i golave? Nuk u kërkova shokëve të më ndihmonin me asiste për rekordin e golave.

Kur dëshiron një gjë me insistim të madh, në shumicën e rasteve nuk ia del dot. Ndryshe ndodh kur luan për skuadrën, shanset e tua i ke gjithmonë. Dua të vazhdoj të bëj më të mirën time, dua të jap gjithçka për Bayernin.

Jam mirënjohës ndaj shokëve të skuadrës. Dëmtimi më kushtëzoi, ndikoi tek unë. Më vjen keq që mungova në momentin vendimtar të sezonit në Champions League. Do tentojmë fitimin e trofeut sërish vitin tjetër”, deklaroi polaku.