Nga Mero Baze
Dhjetëvjetori i Pavarësisë së Kosovës ka rikthyer dhe njëherë në skenë debatin mbi ndarjen e mundshme të Veriut të Kosovës, meqë praktikisht ai është jo funksional si pjesë e shtetit të sotëm të Kosovës. Edhe pse shumica e atyre që sillen rreth këtij debati, spekulojnë me ekzistencën e një iniciative të vërtetë për këtë çështje, ajo që duhet të kuptohet, së paku nga politikanët dhe opinionistët shqiptarë, nuk është çështje territori për Kosovën, por çështje e identitetit të shtetit të Kosovës. Mbi të gjitha, nuk është e barazvlefshme me caktimin e vijës kufitare me Malin e Zi, apo kufirin detar me Greqinë. Këto janë vendime që forcojnë paqen, kurse ai është një vendim që ndez luftën.
Kur thuhet që do t’i hiqet një pjesë Kosovës se është e banuar në shumicë nga serbë, nuk kemi gjymtuar territorin e shtetit të Kosovës, por arsyen përse ka lindur shteti i Kosovës. Shteti i Kosovës ka lindur për të vrarë përfundimisht në Ballkan nacionalizmin etnik. Ai është ndoshta i vetmi vend në botë, i krijuar në emër të të drejtave të njeriut, për të mbrojtur një popullsi që i përkiste një etnie jo serbe, prej dhunës etnike të tyre.
Për këtë arsye, shteti i ri i Kosovës ka si identitet të qenit një shtet i lirive njerëzore, jo me kufij etnik, as me dominim etnik, edhe pse shqiptarët janë mbi 90 për qind e popullsisë. Ai është themeluar si një model që nuk i përfill kufijtë etnikë, por liritë qytetare.
Ky është basti historik i Perëndimit për Ballkanin dhe nëse ky bast humbet, nuk bëhet fjalë se Kosova humbet tokë, por Kosova humbet pikësëpari shtetin dhe arsyen përse ka lindur.
Më tej akoma, ai është një reaksion zinxhir ballkanik, pasi gjithë shtetet ballkanike nuk janë të vizatuara në kufijtë e tyre etnikë. Pastaj Tetova do të kërkojë t’i bashkohet Shqipërisë, Derviciani, Greqisë, Tuzi, Shqipërisë, Presheva, Kosovës, e kështu me radhë.
Pra, versioni i ndryshimit të kufijve për arsye etnike, është i vetmi fitil që mund të plasë një luftë shfarosëse në Ballkan, nga e cila mund të mos dalim dot më kurrë.
Kosova jo vetëm që është e dënuar të rezistojë dhe të bashkëjetojë me Veriun e saj jofunksional, për shkak të historisë së saj, por në këtë rast, dhe për shkak të historisë së rajonit.
Edhe më banale është kjo histori, kur thuhet se do shkëmbehet me votën e Serbisë në OKB. Kosovës, por dhe Ballkanit, i vlen më shumë një eksperiment perëndimor në Kosovë, me shtete nacionaliste si Serbia të mërzitura me të, se sa një pazar rreth një precedenti që mund t’i vërë flakën historisë së Kosovës dhe Ballkanit.
Nëse ka reaksion ndaj deklaratave “ëndërrimtare” të Edi Ramës, për një “president kombëtar” në dekadën tjetër, në fakt duhet të ketë një alarm rajonal ndaj deklaratave të tilla për ndarje kufijsh mbi baza etnike, të cilat mund të hedhin në erë gjithçka.
Kosova natyrisht që do paguajë një çmim të shtrenjtë në rrugën e njohjes së plotë të saj, pasi është e dënuar të durojë çdo lloj eksperimenti me liritë njerëzore të pakicave brenda saj, duke i “diskriminuar pozitivisht”, por kjo nuk duhet ta lodhë.
Ajo nuk e ka luksin e shteteve të krijuara një shekull më parë nga lindja e nacionalizmave pas rënies së Perandorisë Osmane. Ajo është formuar nga përpjekja për të sunduar nacionalizmi serb në territorin e saj. Si e tillë, ajo nuk duhet të jetë eksperimenti i ri i nacionalizmit, por krye-arsyeja përse çdo kufiri etnik nuk i duhet hapur rrugë, por duhet kompensuar me të qenurit të lirë dhe të barabartë aty ku jetojnë. Çdo rrugë tjetër na shpie në një luftë nga e cila shumica nuk do kthehemi më.