Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku ka deklaruar këtë të premte se për zhdukjen e të shumëkërkuarit Ervis Martinaj, policia është duke punuar dhe se do të flasë me fakte dhe prova.
“Strukturat kundër kriminalitetit janë të angazhuara maksimalish. Do të flasim me fakte dhe prova”, u shpreh kreu i Policisë së Shtetit.
Ndërkohë, ministri i Brendshëm Bledi Çuçi tha se Policia e Shtetit nuk mund të flasë pa pasur prova.
Ervis Martinaj, i njohur si ‘mbreti’ i lojërave të fatit, është zhdukur prej 40 ditësh.
Zhdukja e tij ka vënë në lëvizje jo vetëm institucionet e drejtësisë, por edhe politikën.
Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se shumë shpejt do kemi një përgjigje për fatin e tij. Ndërsa kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha tha para gazetarëve se Rama e di ku ndodhet ‘mbreti’ i lojërave të fatit dhe akuzoi Prokurorinë se nuk po vepron.