Partia Demokratike në Itali zhvilloi të dielën zgjedhjet për kryetarin e ri pas dorëheqjes nga ky post të ish-kryeministrit Matteo Renzi, motivuar nga humbja e thellë në zgjedhjet politike të 2018.
Kryetari i ri i Partisë Demokratike Italiane është zgjedhur 53-vjeçari, Nicola Zingaretti, aktualisht President i rajonit të Lazios.
Lideri i ri i PD ia ka dedikuar fitoren e tij vogëlushes suedeze Greta Thunberg, aktiviste ambientale për shpëtimin e planetit, si dhe 5 milionë të varfërve italianë, të papunë e të rinj në vështirësi.
Nicola Zingaretti kërkon t’i japë një imazh të ri Partisë Demokratike italiane, duke shtuar rradhët e saj me të gjitha ata që mbetën të zhgënjyer nga zgjedhjet politike të 4 marsit.
“Do bëj gjithçka që të jem në lartësinë e këtij posti dhe që t’ia arrish kësaj duhet të dish të dëgjosh njerëzit e të dish të marrësh vendime. Nis një fazë e re e PD që duhet të jap sinjale të qarta për të shtuar rradhët e saj“, ka deklaruar ai menjëherë pas rezultateve të votimit.
I lindur në Romë, Nicola Zingaretti ka nisur karrierën e tij politike në mes të viteve ’80 me lëvizjen politike “Antimafia sociale”, duke kaluar me pas në rradhët e PDS.
Më 1985-1989 zgjidhet këshilltar komunal për Romën i Federatës së Rinisë Komuniste Italiane.
Në 2004 zgjidhet europarlamentar në listën e të majtëve italianë dhe ishte kryetar i delegacionit italian në Partisë Socialiste Europiane.
Më 2008 është kandidat i qendrës së majtë për postin e Presidentit të rajonit të Lazios.
Më 2013 zgjidhet Guvernator i rajonit të Lazio-s e me 2018 është i pari Guvernator i Lazios që rizgjidhet përsëri në këtë post.
Nicola Zingaretti është i martuar dhe ka dy fëmijë.
Ai është vëllai i aktorit të njohur, Luca Zingaretti.