Ëndrra e Juventusit për të fituar këtë sezon Championsin dhe e ardhmja e Massimiliano Allegrit varen nga Atletico e Madridit. Gjithçka do të qartësohet mbrëmjen e 12 marsit, kur në Torino të zhvillohet takimi i kthimit mes bardhezinjve dhe “Los Colchoneros”, sfidë që do të përcaktojë përfundimisht ekipin që do të vijojë më tej në kompeticionin më të rëndësishëm europian për klube.
Në fakt, rezultati 2-0 i ndeshjes së parë, lë pak vend për të shpresuar te një përmbysje e madhe e “Zonjës së Vjetër” (duke njohur edhe karakterin e ekipit të Simeones), gjithsesi, në futboll kurrë nuk mund të thuhet kurrë.
Kanë pak besim te një mrekulli edhe nga përtej “Adriatikut”, nga ku kanë nisur të bëjnë planet për periudhën post-Allegri.
Perspektiva e lamtumirës duket më e besueshmja, edhe pse nuk mund të përjashtohet qëndrimi i teknikut italian edhe në rast dështimi me Atleticon.
Kush do ta merrte trashëgiminë e Allegrit? Emrat që qarkullojnë, në fakt, kanë peshë të rëndë.
I paravendosuri duket se është Zinedine Zidane, por francezi, i cili fitoi 3 Champions radhazi në krye të Realit, kërkohet edhe nga Chelsea.
Emri tjetër me peshë është Antonio Conte, i cili e njeh mirë ambientin te “Zonja e Vjetër”, nga ku u largua në vitin 2014.
Pista më e bujshme është ajo që të çon te trajneri aktual i Manchester City-t, Pep Guardiola, për të provuar te kampionët në fuqi të Serisë A stilin tiki-taka.