Sport Juventus përmbys Napolin dhe marshon drejt finales së tretë radhazi

Juventus përmbys Napolin dhe marshon drejt finales së tretë radhazi

Juventus ka fituar 3-1 kundër Napoli në gjysmëfinalen e Kupës së Italisë, pavarësisht se e mbylli pjesën e parë në disavantazh.

Me dy 11-metërsha të kthyer në gol nga Paulo Dybala dhe me golin e “ish”-it, Gonzalo Higuain, skuadra e Max Allegri anuloi golin e shënuar nga napolitanët me Jose Callejon dhe marshon drejt finales së tretë radhazi të veprimtarisë, që e ka fituar në dy edicionet e fundit.

Takimi i kthimit do të luhet në “San Paolo” të Napoli, më 5 prill.

Ndeshja

Dhjetë minuta para fundit të pjesës së parë Jose Callejon kaloi në avantazh skuadrën e Napolit, teksa mposhti portierin Neto, i shërbyer nga Lorenzo Insigne dhe me këtë rezultat u mbyll fraksioni i parë. Përmbysja e Juventus nisi që në minutën e dytë të pjesës së dytë, kur mbrojtësi Koulibaly bëri një ndërhyrje të parregullt ndaj Dybala dhe vetë argjentinasi e ktheu në gol penalltinë.

Kur u mbush një orë lojë, Juventus shënoi golin e dytë me anë të Gonzalo Higuain. Koulibaly devijoi me kokë një top që po shkonte në duart e Reina dhe “El Pipita” nuk gaboi nga shumë pranë portës.

Në minutën e 70-të, Juventus fitoi një tjetër penallti, këtë herë pasi Reina e ndali kundërsulmin e bardhezinjve duke penguar Cuadrado.

Edhe këtë herë shënoi Dybala.

Gjysmëfinalja tjetër e Kupës së Italisë është ajo mes Lazio dhe Roma.