Dhunoi dhe rrëmbeu të dashurën e tij, një gjykatë italiane dënon me 8 vjet burg shqiptarin. Mediet fqinje raportojnë se Kledian Hoxhaj, 21 vjeç është gjykuar me procedurë të shkurtuar, duke fituar 1/3 e uljes së dënimit. Aktualisht i riu ndodhet i burgosur në Prato të Italisë.
Ngjarja tronditëse që i riu u bë protagonisti, daton në nëntor 2017. Në atë kohë Klediani kishte një lidhje me një vajzë, 18 vjeçe, por ishte xheloz në nivel paranojak. Në të paktën tre ose katër raste ai e kishte rrahur vajzën për sjelljet që nuk i pëlqenin atij. Fillimisht, vajza nuk e kishte raportuar dhunën.
Një mbrëmje vajza kishte rënë dakord të qëndronte në shtëpinë e të dashurit të saj, i cili jetonte vetëm në San Concordio, për të kaluar natën aty për herë të parë. Por papritur ai u bë agresiv ndaj të dashurës.
21-vjeçari e kishte lidhur vajzën tek krevati dhe e përdhunoi. Vajza nuk ishte në gjendje që ta kundërshtonte. Prej xhelozisë së çmendur, ai e kishte grushtuar, kapur prej fyti dhe madje e goditi me bishtin e një fshese që u thye për shkak të brutalitetit të goditjeve të shkaktuara. Për vajzën ishte një natë e pafundme terrori, të cilës ai i kishte marrë edhe telefonin për ta parandaluar atë që të kërkonte ndihmë.
Rreth mesditës të së nesërmes, ai ishte veshur për të dalë, duke e mbyllur në shtëpi. Vajza kishte përfituar nga një çast shpërqendrimi për të marrë telefonin celular dhe njoftoi prindërit e saj. Para se të largohej, shqiptari e kishte kërcënuar me vdekje: “Nëse më denoncon unë do të vras …”.
Pasi arriti që të çlirohej nga kthetrat e shqiptarit, vajza përfundoi në spital me shenja të rënda dhune, si ënjtje dhe të nxira në pjesë të ndryshme të trupit. Një brutalitet i frikshëm. E nënshtruar dhe e frikësuar, nuk donte ta raportonte ngjarjen. Madje i kishte dërguar edhe mesazhe për ta qetësuar shqiptarin. Në momentet e arrestimi, i riu shqiptar nuk u duk i penduar apo i mërzitur. Madje tha se e kishte mbrojtur veten nga vajza.