Kryesore Ushtria merr në mbrojtje aeroportin Kombëtar të Rinasit

Ushtria merr në mbrojtje aeroportin Kombëtar të Rinasit

Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka deklaroi të mërkurën se Forcat e Armatosura kanë marrë në ruajtje sigurinë e aeroportit Kombëtar “Nënë Tereza” në Rinas.

Ministrja tha se ngjarja që ndodhi dje në aeroportin e Rinasit, ishte një ngjarje e rëndë, duke theksuar se i bashkohet shqetësimit të qytetarëve dhe kolegëve, që diçka e tillë, nuk mund të ndodhë në një zonë të rëndësisë së veçantë.

Xhaçka tha se tashmë dihet nga analiza dhe hetimi, se mekanizmat e sigurisë që janë nën përgjegjësinë e kompanisë kineze koncesionare të aeroportit, dështuan totalisht.

Në kushtet e një papërgjegjshmërie të përsëritur të koncesionarit për të respektuar detyrimet e tij ligjore për garantimin e sigurisë së aeroportit, kam urdhëruar që në perimetrin e sigurisë së aerportit “Nënë Tereza” të vendosen efektivë të Policisë Ushtarake dhe Batalionit Special të Forcave tona të Armatosura. Kjo është një praktikë, që zbatohet sot në thuajse çdo kryeqytet europian, ku njësi të Forcave të Armatosura vendosen në mbështetje të kolegëve të tyre të Policisë, me qëllim, garantimin e sigurisë së objekteve të rëndësisë së veçantë dhe mbi të gjitha, me qëllim garantimin e sigurisë së qytetarëve. Po ashtu, duke qenë që në një distancë fare të shkurtër nga Aeroporti i Rinasit ndodhet e vendosur edhe Komanda Ajrore e Forcave të Armatosura, kam urdhëruar që edhe Policia Ushtarake të dislokohet në këtë komandë, duke ju bashkuar kështu Policisë së Shtetit për ta mbështetur atë në garantimin e sigurisë së aeroportit”,- deklaroi Xhaçka.

Sipas saj, koncesionari ka dështuar të përmbushë përgjegjësinë e tij për garantimin e parametrave të sigurisë fizike dhe nuk ka zbatuar standardet e detyrueshme të sigurisë, që përcaktohen nga legjislacioni vendas dhe nga Organizata Botërore e Aviacionit Civil.

Ajo tha se kjo është një shkelje e papërgjegjshme dhe shumë e rëndë e legjislacionit shqiptar, për të cilën shpresoj dhe besoj që përgjegjësitë penale të jenë konkrete.

Ministrja deklaroi se kjo situatë kërkon një ndërhyrje urgjente, pasi nuk mund të lejohet të cënohet as siguria e qytetarëve dhe as imazhi i vendit.