Dubrovniku do të bashkojë nesër në një takim kokë më kokë kryeminstrin Edi Rama dhe homologun e tij grek, Alexis Tsipras në kuadër të samitit të 8-të të vendeve të Europës qëndrore, asaj juglindore si dhe Kinës, të njohur si iniciativa 16+1.
Marrëdhëniet e tensionuara mes dy vendeve janë përshkallëzuar ndjeshëm pas deklaratës së kryeministrit grek në samitin e Bukureshtit I cili u shpreh pesimist për perspektivën europiane të vendit tonë, duke nënkuptuar kështu se Greqia nuk do ta mbështesë Shqipërinë si pasojë e disa veprimeve që cënojnë pronat e minoritetit grek.
Më herët burime për Vizion Plus kanë konsideruar hyrjen ne fuqi te ligjit për kadastrën dhe agjencisë se re te pronës si “mollën e sherrit”.
Megjithatë nuk ka asnjë deklaratë zyrtare nga qeveritë përkatëse që do të hidhte dritë mbi natyrën e vërtetë të problemit.
Sipas axhendës, takimi mes dy kryeministrave do të nisë nesër në orën 10:00, ndërsa në orën 12:30 do të ketë një deklaratë për mediat.
Pritshmëritë janë të larta për rezultate pozitive mbi bisedimet që lidhen me integrimin e Shqipërisë në BE si dhe zgjidhjen e cështjeve të mbetura pezull mes Tiranës dhe Athinës.