Presidenti i Partizanit, Gaz Demi, ka qenë i ftuar në emisionin “Zona Gol”, në “Supersport” pas ndeshjes së fituar me Tiranën ku foli gjerë e gjatë në lidhje me ecurinë e skuadrës në vazhdim.
“E mora Partizanin kur ishte në Kategori të Dytë. E mora për biznes, më ngeci Partizani dhe me dashuri e qetësi ia arritëm pas 6 viteve të marrjes të siguronim titullin kampion. Të gjitha janë për tifozët, nuk i kam bërë shpenzimet si biznesmenët se kam gabuar me akademinë. Tani do të bëhet akademia, ato do të jenë të mbaruara brenda vitit, minimalisht ministadiumi dhe dy fushat stërvitore. Për momentin investoj i vetëm. Jam i hapur për partnerë“, – tregon Demi fillimisht.
I pari i klubit ka folur dhe në lidhje me drejtorin Olsi Rama dhe trajnerin Skënder Gega. “Rama është një djalë simpatik siç e shihni në televizor, për vlerën që ka është një djalë korrekt. Gega është një burrë korrekt, një zotëri i vërtet që e ka mbajtur grupin fort. Marrëdhënia jonë ishte xhentëlmenësh, që ditën që jemi njohur i kemi shtrënguar dorën njëri-tjetrin”.
Demi është një president i qetë dhe i lë të gjithë trajnerët të punojnë të qetë. Ai tregon se ka ndërhyrë vetëm një herë në formacion. “Unë nuk ndërhyj në formacion. Një herë e kam bërë kur ishim duke luajtur kundër Teutës, para disa vitesh, në pjesën e dytë i thashë Starovës të fusë në fushë Bardhin. Ai hyri dhe shënoi gol. Kjo është hera e parë dhe e fundit që kemi futur në formacion lojtar nga unë”.
Partizani do të përforcohet për Europë dhe Demi e pranon diçka të tillë. “Shpresoj që të kemi fatin e Skënderbeut me punën që ka bërë, që një ditë të shkojmë në grupe, në Europa League apo Champions, nuk është çudi. Para dy orësh kisha mbledhje me drejtuesit e mi dhe jemi duke punuar për të forcuar ekipin sa më mirë në grupet e Champions”.