Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, deklaroi në fjalën e tij gjatë protestës së 10 të opozitës së bashkuar se më 30 Qershor shqiptarët refuzuan të keqen.
“Më 30 Qershor refuzuam të keqen, ndëshkuam korrupsionin. 30 Qershori është referendum kundër të keqes. Ajo ditë hyri në histori si dita ku shqiptarët treguan se kanë forcën që të ndahen nga e keqja. 85% e shqiptarëve e refuzuan regjimin e Edi Ramës, refuzuan krimin dhe mungesën e shpresës. Rama nuk e theu dot vullnetin e shqiptarëve të bashkuar. 30 Qershori ishte triumfi i të vërtetës mbi propagandën”, deklaroi Basha.
Kreu i PD-së shtoi se nga Shqipëria po ikën elita e vendit.
“Mjekë, inxhinierë, ekonomistë, sipërmarrës, infermierë kanë ikur për dinjitet dhe për të jetuar të lirë në një shoqëri të drejtë. Shqipëria është varfëruar, një vend që e braktis rinia nuk ka të ardhme. Sot, Shqipëria ofron pak mundësi, pak liri, pak dinjitet. Mësuesi duhet të vjedhë e manipulojë vota, polici duhet të dhunojë kundërshtarët politikë, e vetmja e ardhme e fëmijëve tanë është që të punojnë për partinë. Mundësi ka vetëm për krimin, karrierë ka vetëm për servilin. Ëndrra për Shqipërinë si Evropa është e parealizuar”, nënvizoi Basha.
Kryetari i demokratëve theksoi se “të gjitha pushtetet i ka Edi Rama”.
“Është kryeministër, Parlament, kryeprokuror, kryebashkiak, kryeredaktor dhe Shqipërinë e ka kthyer në pronën e tij. Në Shqipëri nuk sundon vullneti i njerëzve, por i Edi Ramës”, tha Basha.
Kreu i PD-së deklaroi se zgjidhja e krizës politike mund të vijë vetëm me një mënyrë: “Kriza zgjidhet me parime, jo me pazare. Ata që sollën krimin në politikë, nuk do të dalin nga kriza si shpëtimtarë, por si përgjegjës. Vetëm kjo e shpëton të ardhmen evropiane të Shqipërisë”.