Njerëzit i kanë konsumuar burimet natyrore të Tokës për këtë vit, sipas shifrave. Organizata Global Footprint Network të hënën (29.07) e ka shenjuar si të ashtuquajturën dita e shfrytëzimit ekstrem të Tokës.
Global Footprint Network përllogarit çdo vit ditën e mbingarkesës së planetit, ose ditës së mbikonsumimit të Tokës. Sipas të dhënave të kësaj organizate kjo ditë po afron gjithnjë e më shumë. Më 1971, dita e parë e mbikonsumit global përkoi me 21 dhjetorin. Vitin e kaluar ishte 1 gushti dhe sivjet për herë të parë ajo është zhvendosur më herët duke përkuar me 29 korrikun.
Dita e mbishfrytëzimit të botës nënkupton, që njerëzit në këtë moment konsumojnë kaq shumë burime nga Toka, sa të gjitha ekosistemet mund të ripërtërijnë përgjatë një viti të tërë. Njerëzimi konsumon pra çdo vit më shumë tokë bujqësore dhe kullotash, rezerva peshku dhe pyje, se sa kanë faktikisht në dispozicion. Po ashtu emetohen shumë më tepër emisione CO2, nga sa mund të filtrojnë pyjet dhe oqeanet.
Organizata ndërkombëtare e qëndrueshmërisë së burimeve natyrore me seli në Oakland të Kalifornisë, deklaron, se kostot e konsumit bëhen gjithnjë e më të dukshme, prej shpyllëzimit, erozionit të tokës, humbjes së diversitetit ose rritjes së përqendrimit të dioksidit të karbonit ( CO2) në atmosferën e Tokës.
Dallime të mëdha rajonale
Dita e mbikonsumimit të Tokës është një vlerë mesatare globale, në secilin vend ka dallime të mëdha sa i përket konsumimit të burimeve natyrore. Organizata Botërore e Mbrojtjes së Mjedisit (WWF) deklaron, se në Emiratin Katar dita e konsumimit maksimal është arritur pas 42 ditësh, në Indonezi në të kundërt ajo arrihet pas 342 ditësh. Gjermania, sipas kësaj përllogaritjeje, e ka arritur këtë pikë, pra konsumimin e plotë të burimeve për vitin 2019 më 3 maj të këtij vit.
Sipas përllogaritjeve të organizatave të mjedisit popullsia botërore konsumon ndërkohë 1,75 të planetit. Nëse njerëzit të gjithë do të jetonin si në Gjermani, do të duheshin tre planete si Toka. Nëse njerëzit do të kishin të gjithë të njëjtin konsum burimesh si qytetarët e SHBA-së, do të nevojiteshin pesë planetë si Toka.
Konsumimi i burimeve në Gjermani
Në Gjermani influencojnë për mbingarkimin e planetit emetuesit më të mëdhenj të CO2 si sektori i energjetikës, transportit dhe bujqësia e industrializuar si dhe shfrytëzimi i sipërfaqeve të mëdha. Emisionet e CO2 nuk janë ulur që nga viti 2009, vazhdimi i përdorimit të qymyrit e ngadalëson pakësimin e këtyre emisioneve në atmosferë.
Si mëkatari numër një i atmosferës, sipas autorëve të studimit është qarkullimi rrugor. Që nga viti 1990 emisionet në qarkullimin rrugor nuk janë ulur ndërsa në qarkullimin ajror ato janë shtuar. Edhe konsumi i energjisë për frymë në Gjermani është më i lartë se mesatarja në BE dhe vitet e fundit ai është pakësuar fare lehtë.
Müller: “Mbrojtja e klimës është një çështje mbijetese”
Ministri gjerman i Zhvillimit Gerd Müller deklaroi, se mbrojtja e klimës është një çështje mbijetese për njerëzimin. Ai kërkoi më shumë investime në mbrojtjen ndërkombëtare të klimës. “Para së gjithash Afrika duhet të kthehet në kontinentin e gjelbër të energjive të rigjenerueshme.” Për këtë është i nevojshëm një program për financimin e teknologjive të nevojshme për energjitë e rigjenerueshme.
Edhe Organizata katolike e Ndihmës së Zhvillimit “Misereor” kërkoi një kthesë rrënjësore. Gjermania konsumon prej asaj, që i përket të gjithë planetit për mirëqenien publike, “shumë më tepër nga sa na takon”, tha kryetari i Misereor për agjencinë katolike të lajmeve KNA.
Rritja e popullsisë
Në vitin 1970 në botë kishte rreth 3.7 miliardë njerëz. Sot bota numëron 7.5 milionë banorë, Kina dhe India kryesojnë popullsinë botërore. Në këto vende jetojnë përkatësisht 1.4 dhe 1.3 miliardë banorë./DW