Luftë e ftohtë mes Inter dhe Mauro Icardit, i cili është lënë jashtë planeve të klubit zikaltër.
Mësohet se sulmuesi argjentinas ka refuzuar ofertën e ardhur nga Roma dhe atë nga Napoli, me qëllimin kalimin e tij tek Juventus, që iu ka komunikuar se do i presë deri më 10 gusht.
Mirëpo, Inter ia ka bërë të qartë se nuk do të shkojë kurrë tek Juve, nëse ata nuk paguajnë 80 mln euro, ndërsa “Zonja” preferon të presë në heshtje duke ofruar jo më shumë se 60.
Inter, gati ndëshkimin
Për këtë, Inter nuk do e lërë të largohet drejt klubit torinez, madje Icardi nuk është pjesë e listës së lojtarëve për sezonin e ri në Serie A, e njëjta gjë pritet të ndodhë edhe me listën e Champions League. Lëvizja e fundit e drejtuesve të Inter për ish-kapitenin ka qenë duke e vënë në dijeni se ai nuk do të shkelë kurrë në tapet për një ndeshje me zikaltrit për dy vitet e ardhshme, aq sa ka edhe kontratën, ose në të kundërt duhet të pranojë ofertat që kanë ardhur në drejtim të tij dhe që klubi i vlerëson si serioze.
Wanda Nara
Thashethemet për një shtatëzani të gruas së tij, Wanda Nara, janë përhapur gjithashtu rreth Mauro, gjë që do ta bënte që Icardi të mos i “çmontonte tendat” nga Milano, për të mirën e familjes.
Wanda Nara ka hedhur sot në Twitter një mesazh të koduar: “Le të shkojmë (përpara) e t’i mësojmë botën se çfarë është dashuria“. A i referohet dëshirës së ish-kapitenit për të qëndruar tek Interi për dashurinë e ngjyrave zikaltër, apo është një mesazh i drejtpërdrejtë, ekskluzivisht për familjen?