Drejtuesit teknikë të dy firmave të skelave që u shembën të premten, janë arrestuar nga Policia e Tiranës. Në pranga kanë rënë XH.T. 41 vjeç drejtues teknik i punimeve në firmën “Xhimi” dhe I.B. 44 vjeç drejtues teknik i sigurisë së punimeve në firmën skela “Syla”.
Gjithashtu është shpallur në kërkim administratori i firmës skela “Syla” për veprën penale të shkeljes së rregullave mbrojtëse në punë.
Nga shembja e skelave, humbën jetën Ergys Brahimaj 31 vjeç punëtor ndërtimi i firmës “Xhimi” dhe Orjan Kodra 36 vjeç punëtor i firmës skela “Syla”, si dhe u plagosën 3 punëtorë të tjerë. Ata ishin duke punuar në fasadën e jashtme të një pallati në rrugën “Faik Konica” në Tiranë për ta veshur me sistemin termoizolues.
Dy punëtorët që humbën jetën u zunë poshtë nga skela e shembur. Ndërsa tre të plagosurit, Genti Bardhi, Euglidios Lika dhe Altin Marku, ndodhen në spital jashtë rrezikut për jetën.
Gjithashtu, për këtë ngjarje filloi procedimi penal për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës“, për punonjësit e Inspektoriatit të Punës Tiranë, pasi nuk kanë ushtruar detyrën për kontrollin e masave të sigurisë në punë në pallatin ku ndodhi aksidenti dhe po vazhdon puna për dokumentimin ligjor për këta punonjës. /