Politika Aleatët, 7 kërkesa për PD: Senat i opozitës me figura politike

Aleatët, 7 kërkesa për PD: Senat i opozitës me figura politike

Aleatët e Partisë Demokratike i kanë propozuar liderit të opozitës një platformë me 7 pika, që ka për qëllim institucionalizimin e raportit mes të vegjëlve dhe të mëdhenjve brenda opozitës dhe qëndrimin e përbashkët politik.

Pjesë e kësaj platforme është edhe krijimi i senatit politik, që përfshin figura politike, qeverisëse dhe figura intelektuale dhe të shquara, brenda dhe jashtë vendit. Platforma synon edhe ngritjen e Këshillit të deputetëve, ish-ministrave, në të gjitha legjislaturat dhe kryetarëve të bashkive, çka duket si një derë që hapet për emrat e njohur te së djathtës, që janë larguar në mëri me lidershipin.

“Këshilli i ish-deputetëve, ish-ministrave, në të gjitha legjislaturat dhe kryetarëve të bashkive. Grup që do të ndjekë gjithë praktikat ligjore, që dalin nga grupet e punës. Analizojnë punën e qeverisë. Bashkëpunojnë me strukturat, për të ndërtuar trupën konkurruese, për pushtetin lokal dhe qendror”

Platforma propozon edhe një grup pune për marrëdhëniet me ndërkombëtarët, të cilëve opozita t’u prezantoje fakte se si Rama ka shkatërruar procesin e integrimit europian, por edhe se ndërkombëtarët duhet të jenë pjesë e zgjidhjes së krizës politike në vend.

“Dialogu për zgjidhjen e krizës së rënde politike me prezencë të ndërkombëtarëve, me prioritet zgjedhjet e lira dhe të ndershme, si rruga për daljen nga kriza”.

Aleatët kërkojnë që opozita e bashkuar të takohet të paktën 1 herë në dy javë.

“Takimet të jenë tematike dhe me subjekt të caktuar çështjesh dhe të shoqëruara me vendimmarrje të shkruar, si dhe personat përgjegjës që do e ndjekin për zbatim. Mbledhja është e detyrueshme të mblidhet me kërkesën e çdonjërit nga kryetarët e opozitës”

Platforma synon edhe unifikimin e qëndrimit të opozitës në media. Prandaj propozohet koordinimi i qëndrimeve mediatike, në mënyrë të përditshme. Përcaktimi i një ose më shumë zëdhënësve të opozitës dhe krijimi i një faqeje zyrtare dhe rrjeteve sociale për opozitën me një mesazh politik dhe elektoral të miratuar nga kryetarët.