Në Samitin e Ohrit mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, Kryeministri Edi Rama ka folur me tone të ashpra ndaj kritikëve të Shengenit Ballkanit.
Në konferencën e përbashkët për shtyp me homologun maqedonas Zoran Zaev, Presidentin serb Aleksandër Vuçiç dhe përfaqësuesit e Bosnje-Hercegovinës e Malit të Zi, Rama foli për mungesën e Kosovës në këtë samit, për të cilën tha se është vetëpërjashtuar nga ky proces.
“Do më lejoni që të mos i shmangen elefantit që është këtu në dhomë kur thonë që lidhet me Kosovën. Dua të jem sa më i qartë me të gjithë ata që bënë sikur nuk kuptojnë. Nuk është ky momenti për të shpjeguar pse bëjnë sikur nuk kuptojnë, por për të thënë se së pari në kujtesën time jemi takuar dhe kemi dakordësuar për gjithçka që shkruhet si një plan veprimi mes liderësh të 6 vendeve të Ballkanit në Sofje, Londër, Poznan, Trieste, Paris etj. Pra mesa unë kujtoj nuk më rezulton se në gjithë këto takime, Serbia apo Bosnja e kishin njohur Kosova. Por kjo nuk e ka penguar as Presidentin e Kosovës as Kryeministrin e Kosovës të marrin pjesë dhe të flasin në emër të Kosovës dhe të dakordësohen për të gjithë elementët e kësaj nisme në dokumente të bashkëmiratuar me partnerët tanë europianë.
Pas luftës dhe pas Pavarësisë së Kosovës u desh një kohë e jo e shkurtër që përfaqësuesit e shtetit të ri të Kosovës të pranoheshin në tavolinë nga Serbia apo Bosnja kur bëhej fjala për takime ndërkombëtare. Tani pjesëmarrja e Kosovës as është vënë kurrë në diskutim. Bashkëpunimi rajonal dhe jetësimi i 4 lirive evropiane nuk do të thotë se Shqipëria ka ndryshuar qëndrim ndaj Serbisë lidhur me njohjen e Kosovës. Por moszgjidhja ende e kësaj çështje nuk është absolutisht një arsye që papritur Kosova të vetëpërjashtohet apo që Shqipëria dhe Kosova mos mbrojnë interesat e zhvillimit ekonomik dhe social”, tha Rama.
Sipas Kryeministrit Rama, Shengeni Ballkanik do të mundësojë heqje të kufirit mes Shqipërisë e Kosovës, por dhe mes vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ndërsa sqaroi se nuk do të ketë asnjë rikthim të “Jugosllavisë”, sikundër është konsideruar nisma për “Shengenin Ballkanik”.
“Një pyetje do ndihmonte qytetarët, që kanë kaq vite që heqin të zinjtë e ullirit në kufirin midis Shqipërisë dhe Kosovës, a do donin që të vazhdonte njësoj historia me mallrat që rrinë presin me orë dhe me njerëzit që mbajnë radhë kilometrike, apo do donin që njësoj si në Ballkanin Perëndimor, edhe mes Shqipërisë e Kosovës të çelej kufiri. Besoj se heqja e kufirit mes vendeve të Ballkanit Perëndimor nuk është një mini-Shengen, por Western Balkan Schengen. Kufiri mes Shqipërisë dhe Kosovës, dhe kjo ka dakordësinë edhe të palëve të tjera, përfshirë edhe Serbinë. Kush flet për Jugosllavinë, mbase ka jetuar shumë gjatë në Jugosllavi. Kush flet për Shqipëri të Madhe kur unë flas për heqje kufiri, do duhet që thjesht të heshtë”, theksoi kryeministri shqiptar.
Ndërsa Presidenti serb Vuçiç u shpreh se nga Shengeni Ballkanin do të përfitojnë të gjitha vendet e rajonit, duke kursyer 260 milionë Dollarë nga heqjet e barrierave në kufijtë mes shteteve. Sipas tij, kjo do të ndikojë edhe në rritjen e investimeve por edhe të turistëve të huaj.