Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Taulant Balla, në një dalje për mediat tha se janë shtuar akuzat për abuzim me detyrën nga Presidenti i Republikës Ilir Meta.
Për këtë arsye mazhoranca ka vendosur të shtyjë hetimin nga Komisioni Hetimor përtej datës 8 dhjetor, datë kjo ku përfundonte edhe afati për hetimin e Metës.
Balla tha se Presidenti vazhdon të shkelë ligjin e Kushtetutën dhe për këtë arsye mazhoranca ka renditur argumente shtesë për dokumentimin e shkeljeve të tij.
“Kreu i shtetit në bindjen tonë ka shkelur Kushtetutën. Është marrë vendimi për ngritjen e komisionit hetimor për kontrollin e veprimeve të presidentit të Republikës.
Presidenti i Republikës në një kurs përplasjeje të fortë me Kuvendin dhe me institucione të tjera ka vijuar cenimin e Kushtetutës me pasoja të rënda me veprime konkrete dhe vendime të qëllimshme të cilat po i rendisim: Në kuadër të hetimit për të shkarkuar Presidentin e republikës, Kushtetuta jonë rregullorja e kuvendit apo ligji praktikisht nuk ndalojnë shtimin e objektit hetimor. Duke vërejtur se shkelja e Kushtetutës nga Presidenti i Republikës tashmë është bërë kronike përmes kësaj kërkese argumentet shtesë për hetimin ndaj presidentit nga komisioni hetimor janë:
Cilat janë argumentet shtesë?
-Së pari presidenti i republikës ka nxjerrë një dekret nr 11350, për emërimin e Marsida Xhaferllarit si anëtare e Gjykatë s Kushtetuese. Ky dekret është nxjerrë në kundërshtim flagrant me nenin 125 të Kushtetutës.
-Së dyti, njësoj siç veproi në tejkalim të kompetencës kur anulloi dekretin e tij për caktimin e datës 30 qershor të vitit zi datë për zgjedhjet vendore, me dekretin që ka firmosur për emërimin e Marsida Xhaferllarit presidenti ka vepruar përtej kompetencës së tij kushtetuese duke demonstruar në mënyrë të përsëritur papërgjegjshmërinë institucionale si dhe duke përdorur në mënyrë abuzive pushtetin e dhënë nga kushtetuta.
-Së treti, Ky veprim i Presidentit ka sjellë pasoja të rënda për legjitimimin e funksionalitetit të Gjykatës Kushtetuese pasi aktualisht në këtë gjykatë rezulton se mund të ketë filluar detyrën Marsida Xhaferllari e cila ka marrë një mandat të paligjshëm si anëtare e Gjykatës Kushtetuese.
-Së katërti, Arta Vorpsi ka fituar në bazë të Kushtetutës dhe ligjit mandatin e Gjyqtarit Kushtetues nuk është ftuar nga ana e presidentit sipas ligjit i cili ka deklaruar publikisht se nuk e njeh gjyqtaren kushtetuese në këtë funksion. Në këtë rast presidenti refuzon të zbatojë Kushtetutën që përbën një abuzim me pushtetin që i ka ngarkuar Kushtetuta”, tha Balla.