Aktualitet 85 vite më parë u nda nga jeta mbretëresha Sadije, fotot e...

85 vite më parë u nda nga jeta mbretëresha Sadije, fotot e rralla të varrimit në gazetat franceze

Sadije Toptani – Zogu, Nëna Mbretëreshë e Shqipërisë (1876 – 1934)

Nga Aurenc Bebja*, Francë

Sadije Toptani, nëna e Ahmet Zogut, e njohur ndryshe si nëna mbretëreshë e Shqipërisë, u nda nga jeta të dielën e 25 nëntorit 1934. Shtypi francez i kohës i ka kushtuar vëmendje kësaj ngjarje të dhimbshme.

“Le Matin”, në ballinën e saj, dhe “Le Journal”, në faqen n°3, i kanë dedikuar një shkrim, të hënën e 26 nëntorit, ku mësojmë kështu edhe shkakun e vdekjes, ndërsa “Excelsior”, të dielën e 2 dhjetorit 1934, në faqen n°6, ka përcjellë ceremoninë mortore nëpërmjet fotografive.

Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, ka sjellë këto informacione për publikun shqiptar:

Vdekja e nënës mbretëreshë të Shqipërisë

Londër, 25 Nëntor. Me telefon. Le Matin.

Na telegrafojnë nga Tirana sot, se nëna mbretëreshë e Shqipërisë ka ndërruar jetë si arsye e një sëmundje zemre që e shqetësonte prej disa muajsh.

(E lindur në Tiranë në vitin 1876, mbretëreshës Sadije iu dha titulli i Nënës Mbretëreshë nga Asambleja Kushtetuese, e cila në vitin 1928  vuri djalin e saj Zogun I në krye të fronit të Shqipërisë).

Vdekja e nënës mbretëreshë të Shqipërisë

Londër, 25 nëntor. – Mësuam sonte vdekjen, në Tiranë, të mbretëreshës Sadije, nënës mbretëreshë të Shqipërisë.

E lindur 58 vjet më parë, tek Toptanët në Tiranë, ajo u martua me Xhemal Pashë Zogun në moshën 15-vjeçare. Lindi dhjetë fëmijë, shtatë prej të cilëve jetuan, gjashtë vajza dhe një djalë. Djali, i lindur në 1895, u shpall mbret i Shqipërisë, në vitin 1928, nën emrin e Zogut I.

Menjëherë pas kurorëzimit të Zogut, Asambleja Kushtetuese i dha mbretëreshës Sadije titullin e Nënës Mbretëreshë. — (Journal).

Ceremonia mortore prekëse për nënën mbretëreshë të Shqipërisë

Në Tiranë, populli shqiptar i dha lamtumirën nënës mbretëreshë Sadije me një thjeshtësi të madhe.

Në të majtë, kortezhi i varrimit që shoqëron të ndjerën, e vendosur mbi një karrocë topi.

Në të djathtë, mbreti Zog, motrat e tij dhe anëtarët e qeverisë duke shoqëruar nënën mbretëreshë Sadije në shtëpinë e saj të fundit.

*Burimi: Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania