Kryesore Rama shpall gjendjen e jashtëzakonshme edhe në Laç, i shtrin dorën e...

Rama shpall gjendjen e jashtëzakonshme edhe në Laç, i shtrin dorën e bashkëpunimit Bashës

Gjendja e krijuar nga tërmeti i 26 nëntorit ka afruar më shumë mazhorancën dhe opozitën.

Në një mbledhje të radhës me qeverinë që në orën 07.00 të mëngjesit, kryeministri Edi Rama i kërkoi opozitës që të bëhet pjesë e komitetit të rindërtimit me dy përfaqësues, ndërsa zgjeroi hartën e gjendjes së jashtëzakonshme duke përfshirë edhe Laçin, pas thirrjes së djeshme nga ana e kreut të PD, Lulzim Basha.

“Në komitetin e rindërtimit të përfshihet edhe opozita me dy përfaqësues. Nuk kemi çfarë ndajmë veçse nevojën e përbashkët për të bërë më të mirën. Ky komisioni nuk është për dekriminalizmin, reformën zgjedhore, por komisione për ditët me diell në këtë ditë pa diell e për këtë punë që do vazhdojë pa avazin e përditshëm politik, është mirë të jemi bashkë.

Duke mirëkuptuar opinionin e kreut të opozitës dje se Laçi përfshihet në këtë perimetër, them se na përputhen idetë dhe shqetësimet, nga sot duhet të përfshijmë edhe zonën e prekur të Laçit, si një kategori e dytë e vëmendjes”, tha Rama në mbledhjen e jashtëzakonshme.