Numri i viktimave nga tërmeti fatal i 26 nëntorit ka vajtur në 51, ndërsa dëmet në njësi banimi janë të panumërta.
Bilanci i dëmeve të shkaktuara i ngjason një bombardimi në qarqet Durrës dhe Tiranë.
Paraprakisht, në rang kombëtar ekziston ky bilanc: Banesa të shembura 131, banesa të dëmtuara rëndë 3811, banesa të dëmtuara lehtë 3149, pallate të dëmtuar rëndë 461, pallate të dëmtuar lehtë 324, pallate që janë shpallur të pabanueshëm aktualisht janë 20.
Përballë kësaj situate, janë ngritur në këmbë biznese të ndryshme për të ofruar ndihma në forme monetare dhe shërbimesh.
Që ditën e parë të kësaj katastrofe, Kompanitë e Sigurimeve në vend janë angazhuar me grupet e tyre në terren për të ofruar për klientët shërbime për shkak të dëmeve të pësuara nga tërmeti me magnitutë 6.4 ballë të shkallës rihter.
Qindra qytetarë që kanë kryer sigurimin e banesave, biznesit apo shëndetit kanë vërshuar pranë kompanive për dëmshpërblime ndërsa këta të fundit kanë ndjekur nga afër me ekspertë çdo zhvillim për t’ju gjendur sa më pranë të gjithë klientëve.
Jo vetëm kaq, kompanitë kanë hedhur dhjetëra mijëra euro për familjet e viktimave të prekura nga tërmeti duke u solidarizuar me dhimbjen mbarëshqiptare.
Kompanitë e sigurimeve garantojnë klientët se çdo dëm nga tërmeti do të kompensohet sipas kontratës dhe në kohën më të shkurtër.
Kompanitë theksojnë se grupet e punës janë të shpërndara në terren për të inspektuar çdo dëmtim dhe për të përllogaritur dosjen e të gjithë klientëve.
Në çdo faqe zyrtare të kompanive gjenden edhe paketat që ofrohen për sigurimin e banesave, bizneseve, pronave, shëndetit apo fatkeqësive të tjera.
Tërmeti fatal i 26 Nëntorit më shumë se kurrë tregoi se sa të pafuqishëm jemi përballë fatkeqësive natyrore dhe si; sa hap e mbyll sytë; mbetesh në qiell të hapur duke humbur pasurinë e gjithë jetës.
Kompanitë ofrojnë kosto modeste të sigurimit të shtëpive që mesatarisht arrin në 50 euro në vit. Kjo shumë është e papërfillshme nëse e llogarisim me dëmin që i është shkaktuar sot banesave nga tërmeti dhe pasojat që ka lënë tek qytetarët që sot janë në çadra.