Është momenti i llogarive te Napoli i Elseid Hysajt. Trajneri Karlo Ançeloti është treguar shumë i ashpër me futbollistët e tij, nga nesër ata do të jenë të grumbulluar. Një masë ndëshkuese që nuk është shoqëruar me replika. Këtë herë vendimin e ka marrë trajneri Ançeloti dhe lojtarët e kanë pranuar, por ka nga ata që mendojnë se kjo zgjedhje e tij nuk është mënyra e duhur për të sheshuar problemet.
Napoli vazhdon të jetë në kaos që më 5 nëntor, kur lojtarët nuk iu bindën urdhrit të presidentit De Laurentis për një grumbullim të detyruar. Atë kohë ndodhi gjithçka dhe më pas Napoli problemet i ka shfaqur dukshëm edhe në fushë. Pas humbjes me Bolonjën në shtëpi, trajneri Ançeloti rrezikon shkarkimin. Pozitat e tij janë lëkundur ndjeshëm, madje De Laurentis po mendon që tani për pasuesin. Vendimtare janë dy ndeshjet e radhës, Udineze dhe Genku, që nëse nuk kalohen me sukses, do të sjellin largimin e Ançelotit. Emri më i lakuar për stolin e Napolit është ai i Rino Gatuzos, i kontaktuar edhe nga Fiorentina, pasi Komiso e sheh si zëvendësuesin e duhur të Montelës. Ish-trajneri i Milanit mund të marrë detyrën për ta nxjerrë fillimisht Napolin nga kjo krizë, më pas do të diskutohet për të ardhmen.
Por nuk është vetëm Gatuzo. Një emër tjetër që është përmendur për marrjen e drejtimit të Napolit në këtë moment delikat është edhe ai i Edi Rejës, trajnerit të Kombëtares së Shqipërisë. Reja e ka drejtuar më parë këtë skuadër dhe e njeh mirë ambientin dhe presidentin De Laurentis. Në fatk, Reja ka rënë dakord për rinovimin e kontratës me presidentin Duka, por ende nuk e ka hedhur firmën. Për momentin, nuk ka asgjë zyrtare, por nuk do të ishte çudi që Hysaj të stërvitej nga trajneri i Kombëtares edhe tek ekipi i tij.