Një dokument i publikuar në internet se kreu i Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka qenë hetues në kohën e komunizmit, solli reagimin e Partisë Demokratike.
Selia blu thotë se integriteti i Arben Krajës është i komprometuar.
“Një dokument i Korrikut 1990, i bërë viral ditën e djeshme, ka zbuluar se Drejtuesi i SPAK-ut Arben Kraja, ka marrë pjesë në procese politike, duke i shërbyer regjimit diktatorial deri në grahmat e tij të fundit. Partia Demokratike ka bindjen se një ushtar i diktaturës më të egër në Europë, që dënon qytetarët me motivacionin “për dëmtim të moralit komunist” nuk mund të jetë shërbëtor i shtetit të së drejtës. Përveçse një hetues i diktaturës, drejtuesi i SPAK-ut, Arben Kraja, është propozuar nga PS si zëvendëskryetar i KLSH dhe ka punuar në Kryeministri për qeverinë e PS”, akuzoi Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi.
Edhe roli i anëtarit të SPAK, Altin Dumanit, sipas PD është i kompromentuar gjithashtu, pasi është fotografuar një ditë para garës për kreun e kësaj strukturë me deputetin socialist, Ulsi Manja.
“Fakti i dytë i rëndë, edhe ky i bërë publik nga media online, është takimi një ditë para votimit, i Prokurorit Altin Dumani me përfaqësuesin e Partisë Socialiste, Ulsi Manja. Altin Dumani ishte një nga kandidatët kryesorë për drejtimin e SPAK dhe ky takim, siç analizon me të drejtë media, për të marrë në KLP votat e kontrolluara nga njëri prej klaneve në Partinë Socialiste, vendos në pikëpyetje profesionalizmin, pavarësinë dhe paanshmërinë e tij”, tha Bardhi.
Partia Demokratike thotë se dy anëtarët duhet të shohin mundësinë për t’u larguar nga detyra e re.
“Në funksion të mbrojtjes së interesit publik dhe eliminimit të çdo dyshimi për integritetin e SPAK, prokurorët, për të cilët publikisht është vënë në dyshim integriteti, pavarësia dhe paanshmëria, duhet menjëherë të sqarojnë pozicionin e tyre dhe vlerësojnë seriozisht mundësinë për të hequr dorë nga përbërja e SPAK”, u shpreh Bardhi.
Demokratët shprehen mbështetje për strukturën që do të hetojë korrupsionin në nivelet e larta shtetërore dhe krimin e organizuar, por për dy rastet kërkuan nga ndërkombëtaret që t’i përmbahen garancisë që i kanë dhënë popullit shqiptar për të siguruar pavarësinë e SPAK.