Irani po mendon 13 “skenarë hakmarrjeje” për t’iu kundërpërgjigjur sulmit ajror amerikan që vrau gjeneralin Qassem Soleimani. Kështu deklaroi Ali Shamkhani, sekretari i Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare të Iranit.
Sipas tij, edhe nëse Teherani zgjedh opsionin më të butë, do të krijojë një “makth historik për amerikanët”.
Shamkhani nuk zbuloi detaje të planeve, por tha se të gjitha trupat amerikane në Lindjen e Mesme mund të goditen.
“Ne këmbëngulim që të tërhiqen të gjitha trupat. Ne do të shkatërrojmë bazat dhe trupat. Ata që zvarriten nëpër vendstrehime dhe mbyllin dyert me shpresën se do t’i shpëtojnë hakmarrjes sonë, ta dinë se Republika Islamike do të hapë dyert e Ferrit. Nëse trupat amerikane nuk tërhiqen vullnetarisht nga rajoni ynë, do t’i largojmë ne”, tha Shamkhani sipas gazetës iraniane “Resalat”.