Massimo Franco
Nuk është hera e parë në pothuajse shtatë vjet që Papa Françesku dhe paraardhësi i tij, Benedikti XVI, kanë treguar se kanë pikëpamje të ndryshme, edhe në çështje që kanë të bëjnë me doktrinën. Ata janë të ndryshëm në shumë gjëra. Në mënyrë të thjeshtë, Jorge Mario Bergoglio etiketohet “modern”, ndërsa Jozef Ratzinger më shumë si “tradicionalist”. Megjithatë, të dy e dinë që bashkëjetesa e tyre në krye të Kishës është e mrekullueshme; dhe është një e mirë e çmuar për t’u dëmtuar nga polemikat. Dhe të dy nuk mund dhe nuk duan të thyejnë një unitet të vënë në provë fort nga përçarjet që shkaktoi dorëheqja e Benediktit XVI në 2013; dhe se pontifikati i Françeskut nuk është shëruar ende. Tensionet që u krijuan ditët e fundit për çështjen e beqarisë së priftërinjve midis atyre që në mënyrë të gabuar cilësohen si “dy Papët” duken të mjaftueshme për të dëmtuar bashkëjetesën e tyre paqësore. Megjithatë, diversiteti i pamohueshëm midis dy figurave kryesore të Kishës Katolike është i destinuar të mos shndërrohet në konflikt. Një libër francez i kardinalit konservator, Robert Sarah, u instrumentalizua, duke e bërë atë të paraqitet sikur ishte shkruar në bashkëpunim me Benediktin XVI, i cili vetëm sa ia kishte dhënë tekstin e tij ideologjik pas kërkesës këmbëngulëse, kardinalit Sarah. Aq sa u kërkua që të ndryshohej kopertina dhe të eliminohej “firma” e Benediktit: kërkesa të pranuara këto.
Por, përtej rrëmujës editoriale dhe pasojave të saj në ekuilibrin e brendshëm e të brishtë të Vatikanit, episodi zbulon disa fakte. Ai konfirmon se sa lufta midis “progresistëve” dhe “konservatorëve” i nënshtrohet imponimit dhe ndarjeve. Dhe sa ndikojnë lëvizjet e pretorianëve, nga të dy krahët, të vendosur për ta shndërruar raportin e tyre dialektik, por gjithnjë besnik në një përplasje mes fraksioneve. Kjo ishte parë në prill 2019, kur Papa Emeritus publikoi tetëmbëdhjetë faqet e “Shënimeve” të tij mbi pedofilinë, dy muaj pas samitit botëror të konferencave episkopale të organizuara në Romë nga Papa Françesku.
U tha se ishte një goditje e ulët e qarqeve tradicionaliste kundër linjës së Bergoglios. Dikush shkoi aq larg sa të argumentojë se ai reflektim madje nuk ishte as i Benediktit, sepse ai nuk do të ishte në gjendje fizike dhe mendore për ta shkruar atë. Atëherë u bë e qartë jo vetëm që “ishte miell nga thesi i tij”, por se ai gjithashtu informoi me shkrim Papa Françeskun dhe sekretarin e shtetit, Piero Parolin; dhe se kishte pasur autorizimin e papës për t’i bërë ato publike. Në atë rast, një hidhërim i ekzagjeruar kundër Benediktit u vu re nga “partia e Casa Santa Marta”, vendbanimi i papës brenda Vatikanit; dhe një armiqësi po aq e hidhur e nostalgjikëve të Ratzingerit kundër Bergolios.
Fakti që kjo tentativë rishfaqet tani nuk është befasuese. Papati i argjentinasit Bergolio po përjeton një fazë frymëmarrjeje, nëse jo edhe stanjacion. Agresioni i frontit tradicionalist ndaj tij nuk tregon shenja tkurrjeje, me forca centrifugale që vijnë për të ngjallur boshllëqe skizmatike. Dhe, paralelisht, ka një presion në rritje nga ndjekësit e Françeskut, për ta shtyrë atë të marrë pozicione më radikale për çështje të tilla siç është fundi i beqarisë së priftërinjve: me koston e prishjes së kompromisit, për të cilin ai dhe Benedikti kanë qenë garantë në këto vjet. Nuk është e qartë në këtë pikë nëse “Dy Papët” do të arrijnë të ndalojnë rrezikun e një frakture të brendshme.
Prania e tyre në Vatikan, disa qindra metra larg njëri-tjetrit, është një anomali që e ka shoqëruar papatin për gati shtatë vjet. Në kohën e dorëheqjes së Ratzingerit dhe zgjedhjes së Bergolios më 13 mars 2013, ishte e paparashikueshme se çfarë forme do të merrte marrëdhënia e tyre në mungesë të rregullave të caktuara: ishte hera e parë në shtatëqind vjet që ndodhte një gjë e tillë. As nuk mund të imagjinohej që Françesku do të bashkëjetonte për kaq kohë me “jo papatin” e paraardhësit gjerman. Versioni zyrtar ishte në fakt se dorëheqja e Benediktit XVI ishte e lidhur me shëndetin e tij jo të mirë, megjithëse jo vetëm nga ai.
Në këto vite, Vatikani ka jetuar jo vetëm me “dy papë”, por me një mister të dyfishtë: atë të arsyeve të vërteta pse Ratzinger dha dorëheqjen, dhe të paktit të heshtur mes tij dhe Benediktit, që pasoi Konklavën. Dhe prandaj nuk duhet të na befasojë aq shumë kjo “përplasje” që u shfaq në ditët e fundit, por fakti që gjatë gjithë kësaj kohe misteri i dyfishtë e ka ruajtur unitetin e Kishës. Është e vërtetë që theksohet roli i Papës Emeritus si kujdestar i doktrinës; dhe, nga ana tjetër, vështirësia e Françeskut për t’i frenuar progresistët që, përgjatë boshtit Gjermani-Brazil, ushtronin presion për një Sinod të diskutueshëm mbi Amazonën: ajo që hapi diskutimin për beqarinë e priftërinjve.
Por modeli i Françeskur “revolucionar” dhe Benediktit “ortodoks” shfaqet i papërshtatshëm, përveçse i dobët. Në nëntor, në revistën gjermane “Vatican Magasin”, gazetari Von Ludwig Ring-Eifel i bashkoi ata në një gjykim të pazakontë. “Benedikti XVI dhe Françesku të dy kontribuan në dekonstruksionin e shpejtë të papatit në pak vite … Pasi Benedikti kishte normalizuar pontifikatin me dorëheqjen e tij”, thuhet ndër të tjera, “Françesku dha një goditje tjetër të fuqishme me dobësimin dhe relativizimin që i bëri papatit”. Është një analizë e diskutueshme, por mund të jetë e dobishme nëse fton të gjithë të dalin nga pellgu i ndotur i polemikave instrumentale. / Corriere della Sera