Extra Nga ftesa e Amadeus tek prezantimi me partneren e Ronaldos, rrëfehet Alketa...

Nga ftesa e Amadeus tek prezantimi me partneren e Ronaldos, rrëfehet Alketa Vejsiu

Vetëm pak ditë më parë, moderatorja Alketa Vejsiu njoftoi në rrjete sociale se ishte përzgjedhur për të prezantuar festivalin e famshëm “Sanremo” në Itali.

Ajo do të jetë krah figurave tepër të njohura dhe ky është sigurisht një hap tepër i madh për karrierën e moderatores.

Në një intervistë për “Bluetooth”, ajo ka rrëfyer me detaje gjithçka.

“Ftesa më erdhi nga Amadeus, i cili këtë vit do të jetë edhe drejtori artistik i festivalit. Isha rrugës për në Prishtinë, kur mora vesh lajmin, praktikisht lajmin e mora vesh kur isha në kufi, në Morinë.

Nuk kam sesi ta përshkruaj emocionin që ndjeva. Ishte pika kulmore e karrierës sime. Prej vitesh kam kontakte me televizionin italian, organizatorët më kishin parë në intervistën time në Rai Uno pas tërmetit dhe natyrisht që Festivali i RTSH ishte dhe një tjetër hapësirë ku ata konfirmuar që unë isha e duhura për të qenë në atë skenë. Gjithsej do të jenë 5 net, unë do të jem natën e tretë së bashku me Georgina Rodríguez, partneren e Ronaldos. Do të kem dy veshje, ishin të shumtë brand-et që kërkuan të më vishnin, por kam zgjedhur Dolce & Gabbana për njërën nga veshjet. Natyrisht që veshja tjetër do të jetë një brand shqiptar, por preferoj ta mbaj surprizë. Programi im është të prezantoj, të këndoj si dhe kam një monolog. Natën e tretë do jenë të ftuar Mika, Massimo Ranieri, Lewis Capaldi, Roberto Benigni, Fiorello, Tiziano Ferro. Këto janë detajet që mund t’ju zbuloj paraprakisht.”

Gjithashtu, Alketa ka treguar se s’ka ndërmend t’ia vërë veshin gojëve të liga, por do të fokusohet tërësisht tek ky projekt i ri.

“Kam punuar shumë dhe kam punuar fort. Gojët e liga i neglizhoj, pasi angazhimi im maksimal tanimë është për Sanremo. Jam përzgjedhur përkrah disa nga emrave më të spikatur në botë, për mua është një privilegj.

Kam punuar për të pasur edhe një karrierë në Itali, jam përgatitur për këtë ditë. E mendoja se do të ishte e afërt dita kur do të bëhesha pjesë e medias italiane, por e mendoja se do të vinte si shkallare, pak nga pak, nuk prisja Sanremon. Mediat italiane kanë shkruar fjalë të mrekullueshme dhe për këtë jam edhe më shumë e lumtur dhe mirënjohëse, sepse vlerësimi nga mediat ndërkombëtare është një vlerësim i dyfishtë për mua”, ka përfunduar moderatorja.