Policia e Tiranës ka shpallur në kërkim një 29-vjeçar, Noel Disha, i cili dyshohet se është autori i vrasjes së Vilson Tafçiut, mbrëmjen e 20 Janarit.
Burime policore kanë bërë me dije se grupi i posaçëm hetimor ka mundur të dokumentojë me prova ligjore ngjarjen e ndodhur në orët e mbrëmjes së datës 20 Janar 2020 në Astir, ku mbeti i vrarë me armë zjarri 29-vjeçari.
Sipas hetimeve, rezulton se si pasojë e një konflikti të çastit, Noel Disha, i cili rezulton të ketë edhe dy identitete të tjera, (N. K., alias M.P.), në orën 20:30 të mbrëmjes së datës 20 Janarit, në rrugën “Dhaskal Todri”, në Unazën e Re, ka qëlluar disa herë me armë zjarri Tafçiun duke e lënë të vrarë.
Policia e Tiranës ka shpallur në kërkim policor 29-vjeçarin dhe gjatë ditës së djeshme dhe mëngjesit të sotëm ka ushtruar një sërë kontrollesh në disa ambiente dhe terren, ku dyshohej se mund të fshihej 29-vjecari dhe vijon punën e pandërprerë për kapjen e tij.