Esse-analizë rreth librit poetik “Graviteti i Shpirtit” i poetes Ermira Mitre Kokomani
Shkruar nga Raimonda Moisiu
Filozofia e Plato-s se poezia qëndron më afër të vërtetës jetësore se historia dhe se poetët shkruajnë vargje të ndjeshme e të mençura, të cilat ndoshta edhe vetë ata nuk i kuptojnë, nënkupton atë se poetët janë përherë në kërkim të enigmave të shpirtit njerëzor në udhëtimin e trishtë e të bukur të jetës. Vetë poezia, e cila është po aq e vjetër sa edhe gjuha që njerëzimi flet, është “kopshti” me aromën shpirtërore dhe njerëzore, me aromën e dashurisë që flet nëpërmjet vargut apo fragmentit, dhe kush e ndjen atë, ka ndjerë jetën dhe etjen për ta jetuar e prekur dhimbjen e bukur, -dashurinë njerëzore, ku secili prej nesh ndjehet poet. Por cila dhe si do të ishte bota pa poezinë? Ajo do të ishte një botë pa frymëmarrje, pa jetë, -mendoj unë!
Poetët paraqesin botën shpirtërore dhe atë të përtejme në pafundësi të zbukuruar me vargje e fjalë poetike, për ta kuptuar e për ta përjetuar të vërtetën e raportit të shpirtit midis së kuptueshmes dhe mistereve, që nga e bukura, dhimbja, malli, dashuria, tragjedia, jeta e vdekja, në vend të lotëve për të përballuar dhimbjet e vogla, trishtimin dhe vuajtjet e mëdha, deri te harmonia dhe mërzia e gjendjes shpirtërore në të përditshmen njerëzore. Poezitë këndoheshin shpesh në lashtësi, dhe njerëzimi sot është i rrethuar nga këngë lirike që aspirojnë poezinë.
“Graviteti i Shpirtit” titullohet vëllimi poetik i poetes, publicistes, eseistes dhe përkthyeses së talentuar, Ermira Mitre Kokomani. Titulli i referohet një metafore të goditur poetike që lidhet thellësisht me gjendjen shpirtërore dhe ngazëllen efektshmërinë e krejt qenies njerëzore, duke sjelle kontrastet midis jetës e artit. Vëllimi poetik i Mitres prezantohet në dymbëdhjetë cikle me tituj prekës dhe frymëzues, përmbledhje poetike lirike dhe alegorike, e hirshme dhe e maturuar, ku spikatin ndjeshëm; dashuria, malli, brenga, mërgimi, shpresa, dhembshuria, magjia e natyrës, dhimbja, dashuria prindërore, dëshpërimi, gëzimi, mbijetesa, jeta dhe vdekja, por që Mitre ka arritur të na japë mjeshtërisht simbolikën e lidhjes së fortë mes krijesave natyrore e njerëzore me lirinë e shpirtit, momentin poetik nga njëra anë, gjëndjen emocionale dhe natyrën njerëzore nga ana tjetër.
“Rrugëtojmë, /në shtigjet e maleve të thepisura me dëborë, /mbi supet kanë hedhur heshtjen gri, /mikpritja është bërë gur, /e oxhaku lëngon tymin që mungon, /e kujt i është dhimbsur më shumë jeta, /…”
Poetja Mitre komunikon lirshëm dhe mjeshtërisht, imazhin e simbolit të dhimbjes e harmonisë, dashurisë dhe përjetimit shpirtëror ashtu siç e ndjen, duke përdorur metafora të goditura dhe të sofistikuara; shtigje, male të thepisura, dëborë, heshtje, mikpritje, gur, oxhak, tym, jeta, – dhe vetëm në disa vargje poetja na jep fuqinë e mesazhit të poezisë në përzgjedhjen e fjalëve që mbajnë të tendosur litarin shpirtëror. Njeriu i ndjeshëm përshtat mendimet me gjërat që e rrethojnë, ndërsa poeti bën të kundërtën, ai përshtat sendet që e rrethojnë më mendimet e tij.
Poetja Ermira Mitre Kokomani dëshiron të komunikojë e lirë, duke u shprehur me ton melankolik, ajo “hidhet” drejtpërdrejt në veprim, duke na rrëfyer historinë mbas, e cila është teknikë mjaft e pranuar në ditët e sotme në poezi; “Rrugëtojmë, /skllevër të rinj të shekullit modern, /në epokën e skllavërisë me ngjyrë të bardhë, /ndoshta gaboj, /skllavëria moderne nuk ka ngjyrë, as shpirt, /riciklon perandorë e sulltanë, /që na kanë marrë për skllevër e ushtarë, /ata që na thërrasin me përçmim “shqiptarë”,/e në celuloid si piratë e vrastarë.”/
Strofa e mësipërme është klithmë e shpirtit të përçmuar, sa metaforike aq edhe objektive. Lexuesi e kupton fare mirë se çfarë kërkon të shprehë shpirti i poetes, megjithëse ende ka një mister për të. Në këtë strofë vargjet funksionojnë mirë së bashku duke krijuar melodinë e gravitetit të shpirtit dhe poetja e tërheq lexuesin më tej me fjalët inkurajuese dhe shpresëdhënëse: “aty ku klithma jote e parë, /derdhi lot gëzimi, /aty ku balta jetën ndjell e mbjell dashurinë e shpirtit. /
Më pas Mitre krijon çifte vargjesh dhe standarde të metaforave të drejtpërdrejta, të cilat poetja i përdor për të ilustruar intensitetin e kultit e të reflektimit: “Të mbetur apo të ikur, /skllevër të vetëflijimit, /lidhur e zgjidhur, /nga zinxhirët e padronëve të rinj të integrimit.”
Në poezitë e ciklit të titulluar “…Shpresojmë.” tre të tilla sikundër; “Të Sotmen Jetoj”, “Ëndrra”, dhe “Bjeshkët e Namuna”, tituj tejet intrigues, vihet re përdorimi i fjalëve “veshur” me dëshirat jetësore në një kuptim të dyfishtë; “i përballjes së dickaje” me ndjenjë, mall, brengë, dhe melodinë e trishtimit; “Jam mbret i ndjenjës, i mëndjes, /i fjalës që them, i farës që mbjell, i foshnjës që sjell, / i ujit që pi, i perlës që nga guaska e detit nxjerr, /i frutit i mjaltit, i gurit, i drurit,/jam mbret i zjarrit që në vatër ndez,/ të sotmen shijoj,/e nesërmja enigmën në prehër të më sjellë.”
Poetja tregon mjeshtërisht aftësinë dhe kujdesin e saj për metaforën. Ajo krijon imazhe ilustruese që janë sa origjinale, aq edhe të kuptueshme. Mitre, si poete e di fare mirë që poezia të dalë e maturuar dhe e arrirë, metafora duhet të përdoret enkas për ta argumentuar kuptimin, jo vetëm si një formë perceptimi. Edhe një herë, Mitre përdor aliteracionin si një krahasim të rrallë, me sens të mrekullueshëm dhe të maturuar. Mënyra se si vargu “Të sotmen jetoj”, është ide brilante, pasi imazhi që ajo krijon më pas është tejet këmbëngulës dhe unik. Së bashku me metaforën shoqëruese; “si gurë tespije në dorë të tij rrotullohem”, poetja mjeshtërisht ngulit imazhin dhe mesazhin në mendjen dhe përfytyrimin e lexuesit.
Vargjet në vijim i referohen fillimit të poezisë “Ëndrra”, -“E ruaj ëndrrën si hirin e mbetur, /prej mishit, prej kockës të djegur, të tretur,/” -poetja shprehet se ëndrra është pjesë esenciale e jetës së njeriut, është mendimi dhe veprimi, është pasioni dhe forca, është qëllimi, besimi dhe vendosmëria, materia dhe forma, është pikërisht shpirti që nuk zhbëhet, edhe atëherë kur mendon se jeta të është thërmuar, djegur e tretur në hi.
“Jam ëndrra më thotë, jemi bashkë të dy, /ti më ndjek mua dhe unë të ndjek ty, /ngado që të vijmë, ngado që të shkojmë, /unë edhe ëndrra përjetësisht udhëtojmë.”
Përmes strofës së fundit poetja Mitre e personifikon ëndrrën, dhe na përforcon bindjen se njeriu e jeton vërtet jetën e tij vetëm duke vënë në veprim intelektin e imagjinatën, për të depërtuar në misteret e universit, apo për të zbuluar ngjashmëritë e papritura të tij, e më pas duke i realizuar ato vizione që burojnë prej zbulimeve, përmes vullnetit dhe veprimeve të qëllimshme. Një njeri pa ëndrra do të ishte si një zog me krahë të thyer që nuk mundet të fluturojë hapësirave që i ofron imagjinata. Ndaj dhe poetja na kujton me optimizëm se ëndrra është një bashkëudhëtare e përjetshme e njeriut, është promotorri që e bën atë të jetë një qënie e mundshme për të vepruar e ndryshuar vazhdimisht, veten dhe ambientin që e rrethon.
Te poezia me titull “Bjeshkët e Namuna”, trajtimi i kohës dhe hapësirës shihet në perceptimin e gjeografikes ku vetë fjalët- bjeshkët, të namuna, gurë diamanti, fanar deti, Luli i Vocërr, fluturim, etj, shprehin kuptimin metaforik, filozofik e shpirtëror dhe klima që krijon poetja për ta bërë imagjinatën poetike të kuptueshme dhe ndjesore. Poetja Mitre vargëzon mes ndjenjës dhe ndjen përmes mendimit të saj, kombinon intensitetin lirik me atë dramatik, lirizëm pikëllues dhe melankolik të qartë e të qetë në varg, origjinalitetin që i buron së brendëshmi nga ndjenjat e emocionet që vetë poetja mbart; “të mblidhnim ëndrrat e braktisura, /si luledelet në Bjeshkët e Namuna, /të mblidhnim ato shikime të pafajshme/të shpirtrave të etur, /që klithnin papushim trishtimin,/“.
Dhe kur brenda gjen element thellësisht filozofike dhe psikike në ide, atëhere fabula poetike merr rolin e saj aktiv, meditues dhe vajtuese i dyzuar; të vetvetes e të të tjerëve, nga e përgjithshmja që i përket secili prej nesh, përjetime si pjesë e jetës.
“Në gropëzat e syve, mbanin dy gurë diamanti, /dy pupilat, fanarë deti në mbrëmje, /shikimet ëndrra të pashkruara/në pentagramet e Bjeshkëve të Namuna, / rrinin të varura në dritë shprese, – poetja shprehet qartshëm nga ekzistenca në mos ekzistencë, nga e dukëshmja në të padukshmen, që vetëm poeti mund ta kuptojë e shikojë në zemrën e gjërave dhe forcon interesin për natyrën njerëzore me brengat, krenarinë dhe parandjeshmërinë rreth së ardhmes së largët, barazi kjo që stimulon të tashmen e paqëndrueshme; “Ëndërrojmë shpresën që një ditë,/kur të zgjohemi mëngjeseve me dritë,/të shikojmë ish-Lulërit e Vocërr,/të na përshëndesin nga parashuta në fluturim,”.
Poetja lufton me të shkuarën e tyre apo atë historike, dhe e vë atë në funksion të pohojë kujtimet e të shkuarës; mallin, dhimbjen, dashurinë, luftën për ekzistencë, nostalgjinë, identifikimin e realitetit dhe gjithcka që ekziston në marrëdhenien humane dhe intensifikon aspiratën e saj drejt të mirës e së bukur në gjithcka që na rrethon.
Mitre me pjekuri të mendimit filozofik dhe artistik, na jep konceptimin harmonizues të identitetit dhe emocioneve poetike, depërton në vetidentifikimin original dhe delikatesën femërore; “trumcaku veshur me krenarinë e tij, /është e vetmja frymë që më bën shoqëri.”,- poetja na tregon lidhjen e saj midis ëndrrës dhe zhgjëndrrës, vetëdijes, dhimbjes e dashurisë njerëzore; “Botë e ngatërruar, /edhe një trumcak më ka sfiduar,/ në gjoks mbaj ende mbështjellë, /një ndjenjë të pështjelluar.”,- për nga forca dhe struktura e vargut me rimë e muzikalitet, poetja na zbulon imtësira psiko-analitike, lidhjen e fortë të natyrës poetike me veten dhe rolit metaforik midis tyre.
Edhe në ciklet e tjera Mitre pohon që në fillim lidhjen e saj me njeriun (lexuesin) dhe hisen e njëtrajtëshme me objektet që e rrethojnë, -“Vrazhdësi e mjerë por që drithëron shpirt, /në cilën ulkonjë zure rrënjë e u ngjize? /në cilën tribu vure shtat e u rrite? /cila ninullë ulërimë të fali, /piskamë për shpirtrat që dënon së gjalli?”
Poetja Mitre prodhon kompleksitetin pafund të dëshirës, përvojave jetësore, rrugën e vuajtjeve, të dhimbjes dhe dashurisë, ajo eksploron në paditurinë e të njohurës e së panjohurës, me pavarësinë e botës shpirtërore të brendëshme e të jashtme; “Hapi sirtarin e zemrës, /gjeti diamantin blu të dhimbjes, /sirtari i zemrës nusëronte, /diamantë dhimbjeje qëndisur, /dashuria tymnajë zhgënjyese, /djegur e përzhitur,/-klithmë shpirti ndaj dhunës verbale dhe fizike, jetës dhe mbijetesës; “klithma e ulërima iu përplasën në fytyrë,/në agoni iu tredh shpirti i saj i dlirë,/plot dhimbje.”
Poetja përmes një gjuhe të guximshme dhe plot muzikalitet shpreh kompleksitetin e një vargu përvojash, idesh dhe ndjenjash emocionale të shfaqura si kurrë më parë në poezi; “Kush je ti? /Ah po,/ti je përbindëshi me fytyrë të egër njeriu,/që ajo gabimisht fole të ngriti në gji.”
Vizioni thelbësor i poetes vë në sprovë epërsinë e realitetit shpirtëror e fizik me anë të figurave letrare të ndërthurura me kuriozitetin e mendimit artistik dhe filozofik.
“Pesë kontinentet kanë veshur, /fustanin hartë të grisur, /rreckosur, baltosur, irnosur, /bota zgjohet në histeri, /fytyrë shprishur, /flokë shpupurisur.”
Packa se nuk e njohin njëri tjetrin, poetja identifikon bashkëjetesën e shpirtrave të ekzistencës njerëzore brenda heshtjes dhe errësirës të hartës së grisur dhe të copëtuar, ndërkohë që bota zgjohet në histerinë e mëkatarëve, fajtorëve dhe bashkëfajtorëve të majmur nga injoranca, absurdi dhe babëzia në turravrapin e shprishur e të shpupurisur të kohës. Mitre ka shndrruar fabulën poetike në strukturë medituese dhe vajtuese, marrëdhënien humane të bashkëvuajtësve ngarkuar me barrën e dhimbjes, revoltës dhe klithmës për qetësi e paqe. Identifikimi me këtë realitetit dhe me gjithcka që ekziston shfaqet fuqishëm në vargjet: “Historia njerëzore, /një cirk me të njëjtat skena, /por me xhonglerë të rinj,/
Poetja nënkupton ndryshimet rrënjësore dhe aspekte të vecanta që po ndodhin në botën e sotme; krisma, luftë, urrejtje, zemërim, përplasjet e gardheve të hartës së grisur, teksa vetë ajo dhe bota përreth jetonjë të përditshmen njerëzore, midis së kuptueshmes, sfidave dhe mistereve të jetës. Ndërkohë poetja mjeshtërisht na i paraqet me ndërrthurjen e vargut tradicional me atë bashkëkohor, teksa na bën të kuptojmë akoma më mirë botën psikologjike dhe veçmas lotët e fëmijëve; “miliona lot fëmijësh të pafajshëm, /nuk e shuajnë dot, /zjarrin e lakmisë për supërfuqi.”, – Mitre përsëri identifikon ndikimin e kotësisë sociale teksa aspiron paqen, dashurinë respektin, harmoninë dhe shpirtin fëminor nëpër damarët e poezisë, ajo na flet me gjuhën e ndjenjës, indinjatës, dhëmbshurisë dhe tejet këmbëngulëse: “Merrma kockën bëma gur në vend të tij të rëndojë,/gur e kockë ta ngrejë kështjellën, mëncuri të pagëzojë;/Merrmi flokët bëji udhë, të lehta t’i ketë këmba,/shtegun e tij mban shtegëtari, po të jetë e drejtë bota;/Merrmë dorën bëma hartë, që të mbajë pesë kontinente,/githërinjtë ura bëmi, të lidh ndarjet e kësaj jete!”
Poetja gjendet midis kontrastit intrigues të guximit për të jetuar dhe guximit për të mbijetuar, interpretuese e dhimbjes e dashurisë njerëzore, fatit të botës dhe të njerëzve që e rrethojnë, duke protestuar ndaj pafuqisë së grafikës së kohës dhe shenjtërisë së shpirtit të murosur në muret social–politik të kohës. Janë ndjenjat më elementare, të cilat poetja i unifikon në lidhje e ide të përbashkëta me instrumentin e mrekullueshëm të modestisë në kohë e hapësirë, jep shpresa për paqe dhe ditë më të mira; “Jashtë, jashtë tokës sime amë, /bijtë e tu bekuar me dashurinë e bardhë, /mbi barkën e Noes do t’i ngarkoj, /shpëtimi, fashë dashurie plagët t’i shërojë.”
Meditime poetike lirike e filozofike, me timbër original, estetik dhe emocional, ku dallohet qartë ndjenja e dashurisë, bukuria fizike dhe shpirtërore që përfshijnë dhjetra poezi të Mitres; “Dashuri Nëne”, “Engjëllorja ime”, “Foli me shpirtin”, “Beso në të Vërtetën Biri im”, “Indiferenca”, “Humbja”, “Foshnja e Braktisur”, “Muza”, “Polifoni Pas Vdekjes”, “Dashuri e Parë”, etj, janë fabula me tema e subjekte të goditura, kujdesin psikik, artistik e filozofik, me mjete modeste, si nga ana figurative, gjuhësore, dhe letrare. Poetja ndërton alternativën me stilin e saj të guximshëm dhe imagjinativ, duke ruajtur diskursin mes vargjeve, fabulës dhe ideve: “që me ëndrra të bukura çdo mëngjes na zgjon, /dora jote mbi flokët, /përkëdhelja e nënës që shpirti na e kërkon, /Dashuria jote/veladoni i artë që na mbështjell e na mbron.”- Mitre potretizon psikiken dhe rolin që luajnë idetë e meditimit poetik me mjeshtëri artistike e filozofike, gjithmonë në kërkim të gravitetit të një shpirti të lirë, duke vrarë drojën dhe të keqen në emër të dashurisë njerëzore. Perceptimi i afiniteteve realë e të paanshëm mes vargjeve; “Të kujtoj ty ëngjëllorja ime, /lotët me puthje të ëmbla m’i fshije, /plagët në gjunjë me dashuri m’i lidhje, /buzëqeshja jotë kokëfortësinë ma zbuste, /zemrën e njomë me ngrohtësi ma mbushte.”-e mundëson kështu poeten në mënyrën më ideale dhe njerëzore jo vetëm të pohojë trajtat dhe dukuritë madhështore të epërsisë së shpirtit, por ajo hyn brenda në shpirtin njerëzor dhe zbulon bukurinë dhe të fshehtat e tij.
Kjo përmbledhje e veçantë artistike e titulluar “Graviteti i Shpirtit”, zotëron origjinën e frymëzimit poetik të Mitres, si një mediatore mes dy botëve; botës së brendshme hyjnore dhe botës njerëzore, një poete që bën kompromis pafundësisht me larminë dhe në varësi të përjetimeve jetësore dhe shpirtit njerëzor dhe i shëndrron ato në forcën e vargut të artit poetik; “Adelia, shpresoj që të nesërmen të zgjohesh, /një grua nënë plot forcë e mëncuri, /krijuesit të madh përulësisht t’i drejtohesh, /me shpirtin e ngjizur me besim e dashuri.”
Poetja Mitre mbart fort atë -dashurinë- si shpëtimtaren e botës njerëzore.
Mitre modulon marrëdhënien mes gëzimit dhe hidhërimit në të përditshmen njerëzore, duke kontrastuar mes jetës dhe humbjes së njerëzve të saj të shtrenjtë: “Prej vitesh mbi plagë lotin kam vënë, /e me vargun lotin e fshij, / përjetë do ta këndoj e shkruaj këtë këngë, /për ty o Engjëlli im”- nëpërmjet lotit e ngarkesës emocionale të patjetërsueshme, me të gjitha dimensionet shpirtërore dhe dualitetit të polaritetit të dhimbjes e humbjes, jetës e vdekjes.
“Natën me hënë në dritare qëndroj, / lart sytë i hedh me kërshëri, /në pafundësinë yjore ty të kërkoj, /të të përkëdhel, të të marr në gji.”, -Poetja përdor forcën e vargut si instrument për të përballuar dhimbjen dhe forcën e dhembshurisë e dashurisë njerëzore, emocionin e brishtë e trishtues, ku ndjeshmëria analoge i jep kuptim kurajos e dashurisë eternale për birin e saj.
Vëllimi poetik “Graviteti i Shpirtit” i poetes, publicistes, eseistes dhe përkthyeses së talentuar, Ermira Mitre Kokomani, reflekton qartshëm se poezia e saj është një poezi që shikon imtësisht në zemrën e përvojave jetësore me ngrohtësinë, butësinë, brishtësinë e delikatesën femërore, mirëkuptimin, mirësinë, dashurinë, dhe respektin për dinjitetin njerëzor. Poezia e Mitre-s konsolidon mendimin në dobi të natyrës njerëzore, lartëson shpirtin e lirë, intensifikon aspiratën dhe frymëzimin, në kërkim të së mirës dhe të bukurës në gjithçka që na rrethon, dhe ka tendencën që të shohim më qartë elementët më thelbësore e të domosdoshme të jetës mes humanes e dashurisë njerëzore.