Sport Një “shigjetë” për “harkun” e Contes, Interi mund të marrë falas Mertens

Një “shigjetë” për “harkun” e Contes, Interi mund të marrë falas Mertens

Dries Mertens tek Interi me parametra zero. Shanset që kjo të ndodhë po rriten, veçanërisht pas njoftimit të Solskjaer për rikthimin e Alexis Sanchez te Manchester United, gjatë verës. Kjo është arsyeja pse, sipas “Tuttosport”, Marotta dhe Ausilio po punojnë për goditjen e madhe, që korrespondon me belgun e Napolit, të cilit i skadon kontrata në fund të këtij sezoni. Mertens ka qenë jashtë fushave prej rreth një muaji, për shkak të një dëmtimi, ndërsa nuk e ka menduar rinovimin.

Interi nuhat situatën dhe është i gatshëm t’i japë Lukakut “shpatullën”, me të cilën merret vesh mrekullisht në kombëtare. Pra, largohet Sanchez dhe vjen Mertens në verë; ky është plani i trajnerit Antonio Conte. Ky i fundit, në korrik mund të ketë një “shigjetë” ndryshe dhe cilësore për “harkun” e tij.

Ndërkohë, duke u rikthyer tek aktualiteti zikaltër, “Gazzetta dello Sport” shpjegon sesi janë përmbysur plotësisht strategjitë për sulmin në këtë merkato të dimrit. Nuk vjen as Giroud dhe as Llorente. Sulmuesi i katërt zikaltër do të mbetet Sebastiano Esposito, në pritje të verës, kur është projektuar Mertens. Ideja është që Eriksen dhe Sensi të jenë më afër lojtarëve të repartit ofensiv, si elementë shtesë në këtë drejtim.