Në Filipine është raportuar viktima e parë e koronavirusit, duke shënuar kështu rastin e parë fatal që i ka kapërcyer kufijtë e Kinës, aty ky nisi gjithçka. Me frikën e përhapjes, gjithnjë e më shumë vende po vendosnin kufizime të udhëtimit.
Deri tani, numri i viktimave ka arritur në 304 në Kinë, qëkur u zbulua për herë të parë në qytetin qendror të Vuhanit në fund të vitit të kaluar. Në të gjithë Kinën, kishte 2 590 infeksione të reja të konfirmuara të shtunën, që e çojnë totalin në 14 380, bëri të ditur sot Komisioni Kombëtar i Shëndetit i Kinës. Një studim i publikuar të shtunën nga shkencëtarët e Universitetit të Hong-Kong zbuloi se virusi mund të ketë infektuar deri në 75 815 njerëz në Vuhan.
Virusi, i cili është shpallur emergjencë globale e shëndetit publik, ka shkaktuar të paktën 100 infeksione në më shumë se 20 vende. Britania, Rusia dhe Suedia konfirmuan rastet e para gjatë fundjavës. Japonia ka regjistruar 20 raste, përfshirë ato që përfshijnë transmetimin nga njeriu te njeriu, ndërsa në SHBA sot u raportua rasti i tetë.
Viktima në Filipine është një 44-vjeçar kinez nga Vuhani, i cili vdiq në një spital në Manila. Ai e kishte marrë virusin para se të mbërrinte në Filipine.
“Kjo është vdekja e parë e raportuar jashtë Kinës”, tha Rabindra Abeyasinghe, përfaqësuese e Organizatës Botërore të Shëndetit në Filipine. “Sidoqoftë, duhet të kemi parasysh që ky nuk është një rast i shfaqur lokalisht. Ky pacient erdhi nga epiqendra e këtij shpërthimi”.
Departamenti i Shëndetit në Filipine tha se burri u shtrua në spital më 25 janar me ethe, kollë dhe dhimbje të fytit. Ai zhvilloi pneumoni të rëndë, por ditët e kaluara, “pacienti ishte i qëndrueshëm dhe tregoi shenja përmirësimi”, tha ai. Megjithatë, gjendja e tij më pas u përkeqësua dhe ai vdiq brenda 24 orësh.
Ndërkohë, bota po “mbyll dyert” për ata që dalin nga Kina dhe nisen drejt saj.
Të dielën, Indonezia gjithashtu tha se do të ndalojë përkohësisht fluturimet drejt dhe nga territori i Kinës nga e mërkura.
Kontrollet më të rrepta kufitare, së bashku me pezullimin e fluturimeve dhe operacionet e biznesit, kanë ngjallur frikën e një ngadalësimi ekonomik në Kinë, ekonomia e dytë më e madhe në botë.
SHBA, Australia, Singapori dhe Izraeli kanë ndaluar shtetasit e huaj që të hyjnë në territoret e tyre nëse kanë qenë në Kinë gjatë 14 ditëve të mëparshme, dhe i kanë këshilluar qytetarët e tyre që të mos udhëtojnë atje. Mongolia, Rusia dhe Nepali mbyllën kufijtë e tyre tokësorë. Vende të tjera kanë vendosur kufizime për njerëzit që kanë vizituar provincën Hubei në 14 ditët e kaluara.