35 vjet pas babait të tij dhe 66 vjet nga gjyshi, Daniele Maldini debuton me bluzën e Milanit në Serie A. Tre brezat Maldini me bluzën e kuqezinjve, nga Cesare, te Paolo dhe të dielën te Daniele!
Kohët e fundit, Daniele Maldini rinovoi kontratën me kuqezinjtë deri në vitin 2024, ndërsa të dielën, në ndeshjen e mbyllur në barazim 1-1 me Veronën, debutoi përpara mijëra tifozëve në San Siro, pasi zëvendësojë spanjollin Castillejo.
Paolo Maldini, i pranishëm në “San Siro”, ishte mjaft i emocionuar në debutimin e djalit të tij. Paolo la futbollin në vitin 2009, ndërsa në verën e vitit 2018 u kthye te kuqezinjtë si drejtor sportiv.
“Debutimi ishte një ëndërr e bërë realitet, më vjen keq për rezultatin. Verona është një ekip i vështirë. Ndoshta ne i merituam 3 pikët. Shpresojmë të fitojmë në ndeshjen e ardhshme”, kanë qenë fjalët e para të Danieles pas debutimit me Milanin.
Cesare ka luajtur 412 ndeshje me Milanin, duke fituar 6 trofe. Ai ndërroi jetë 4 vite më parë. Ndërsa Paolo është mes legjendave të kuqezinjve me 902 ndeshje dhe 25 trofe.
Tashmë është radha e Danieles, i cili ka një detyrë mjaft të vështirë mbi supe. Të rikthejë Milanin mes më të mirëve në Itali, pse jo edhe në Europë.