Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kandidati i kësaj partie për Kryeministër të Kosovës, u pyet nga gazetari Blendi Fevziu nëse do të kërkojë shkarkimin e Presidentit Hashim Thaçi.
Blendi Fevziu: Është folur që mund të kërkoni shkarkimin e Presidentit të Kosovës, zotit Hashim Thaçi. Është e vërtetë?
Albin Kurti: Ne gjithmonë e kemi kërkuar këtë gjë.
Blendi Fevziu: A do të merrni ndonjë akt në këtë drejtim, se sot keni vota?
Albin Kurti: Nuk kemi vota për ta bërë shkarkimin.
Blendi Fevziu: Po me ç’shkak do kërkoni ta bëni shkarkimin, se kjo kërkon edhe një argumentim?
Albin Kurti: Problemi më i madh që kemi me Presidentin, tani ta shohim pas vendosjes sonë si qeveri dhe fitores në zgjedhje, është sa i përket raporteve me Serbinë, sepse ka qenë fort problematik në këto dy vitet e fundit.
Blendi Fevziu: Në ç’kuptim?
Albin Kurti: Ai ka bërë diçka të paimagjinueshme për ne para 3 viteve, për shkak se në njërën anë ka pranuar që të bëjë një lloj shkëmbimi territorial me Serbinë. Ai e ka quajtur korrigjim i kufirit me kompromis të dhimbshëm, ku Veriu është dhuratë e Rankoviçit.
“Nesër takohemi me Isa Mustafën dhe Vjosa Osmanin”
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kandidati i kësaj partie për Kryeministër të Kosovës, tha mbrëmjen e së mërkurës në “Opinion” se Lidhja Demokratike e Kosovës ka pranuar në parim të hyjë në koalicion me ta për krijimin e qeverisë së re.
“Në parim kanë pranuar që të kenë koalicion me ne. Kanë pranuar që të kenë koalicion me ne dhe ne nesër do të kemi një takim ku do të marrim pjesë unë dhe nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosjes, Prof. Besnik Bislimi, ndërkaq nga LDK do të jenë prof. Isa Mustafa dhe kandidatja e LDK-së, Vjosa Osmani.”
Kurti tha se LVV dhe LDK nuk kanë asnjë zgjidhje tjetër, përveçse të hyjnë në koalicion sëbashku.
“Pra ne nuk kemi zgjidhje tjetër. Jemi të dënuar të bashkëpunojmë. Ishim opozitë të dyja, ndryshimi nënkupton që opozita bëhet qeveri dhe mu këtë gjë e ka dashur populli me pjesëmarrje masive në zgjedhjet e 6 Tetorit.”
Kurti tha se posti i Kryeministrit nuk është në tryezën e negociatave, pasi sipas tij këtë e ka vendosur populli në kutitë e votimit, kur e nxori LVV si parti të parë.