Bota A do të ndalohet përdorimi i makinave në Paris pasi të hiqet...

A do të ndalohet përdorimi i makinave në Paris pasi të hiqet karantina?

Kryetarja e Bashkisë së Parisit Anne Hidalgo ka deklaruar se rikthimi në një qytet të mbizotëruar nga makinat në periudhën post-pandemike është jashtë çdo lloj diskutimi. Pas seancës speciale të organizuar nga Këshilli Bashkiak i Parisit për të shqyrtuar mënyrat sesi të udhëzojnë qytetarët drejt daljes nga karantina, Hidalgo ka theksuar qëndrimin e saj mbi reduktimin e nivelit të ndotjes në kryeqytetin francez.

“Me plot bindje them se është jashtë çfarëdo lloj diskutimi lejimi i pushtimit nga makinat dhe ndotja,” tha ajo. “Ndotja është në vetvete një krizë shëndetësore, ndërsa ndotja krahas coronavirusit sjellin një kombinim veçanërisht të rrezikshëm.”

Studime të kryera nga Universiteti i Harvardit në SHBA kanë treguar se ekspozimi ndaj ndotjes mund të rrisë shanset për të vdekur nga sëmundja me rreth 10 për qind.

Lëvizja vjen pas zhdukjes së trafikut të rënduar në shumë qytete të Francës gjatë kohës së pandemisë, duke çuar në një rënie drastike të nivelit të ndotjes së ajrit. Por teksa shumë vende europiane po lehtësojnë masat, problemet lidhur me mbipopullimin i kanë detyruar qeveritë t’i kërkojnë qytetarëve që të shmangin transportin publik, por nga ana tjetër kjo mund të rezultojë në rritjen e qarkullimit të makinave personale.

Hidalgo i është bashkuar liderëve të disa qyteteve të tjera europiane që kanë shpalosur plane për mënyra alternative transporti.

Një e ardhme kundër makinave në qytete

Një nga rrugët më të ngarkuara të qytetit, Rue de Rivoli pranë Muzeut të Luvrit, ishte shumë pranë krijimit të hapësirave për biçikletat dhe kalimtarët më 30 prill. Teksa Franca po shkon drejt rihapjes më 11 maj, mbyllja e kësaj rrugë zakonisht e mbipopulluar nga turistë do të qëndrojë përgjatë gjithë verës dhe me shumë gjasë ky do të kthehet në një vendim përfundimtar.

Parisi nuk është i vetmi qyteti që po inkurajon forma alternative transporti në periudhën post-COVID19. Mbretëria e Bashkuar po ashtu ka njoftuar për një investim prej 2 miliardë paund për t’i dhënë një shtysë qytetarëve të përdorin biçikletat, teksa këto ditë do të shtohen dhe korsitë e veçanta të tyre.