Shëndet A ikën bashkë me dimrin edhe koronavirusi? Flasin ekspertët

A ikën bashkë me dimrin edhe koronavirusi? Flasin ekspertët

Gjeografia e përhapjes së koronavirusit kryesisht në zona me klimë relativisht të ftohtë ka ushqyer prej disa kohës hipotezën se me ngrohjen e motit dhe rritjen e temperaturave në pranverë dhe verë epidemia në mos do të zhduket, të paktën do të ngadalësohet.

Por, sa qëndrojnë këto pretendime?

Ka një debat të gjerë botëror për këtë tezë. Mbrojtësit e saj e argumentojnë duke sjellë si shembull rastin e Indisë. Megjithëse është në kufi me Kinë dhe me një popullsi thuajse 1.5 miliardë banorë, autoritetet në këtë vend zyrtarisht kanë raportuar vetëm 30 raste me të infektuar, ku gjysma janë turistë italianë. Për këtë arsye, partizanët e kësaj hipoteze thonë se klima e ngrohtë indiane po i mbron qytetarët nga përhapja e virusit.

Megjithatë, kundërshtarët e hedhin poshtë duke sjellë si shembull Kaliforninë dhe Floridan në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që të dyja vende me klimë të ngrohtë. Florida konfirmoi dy vdekje nga 17 që është numri total i viktimave në SHBA. Numri i të infektuarve ka shkuar mbi 330, ku mes zonave që kanë raportuar persona pozitivë me virusin është edhe Hauai, grupi i ishujve të famshëm për klimën verore thuajse gjatë të gjithë vitit.

Shembujt që mbërrijnë nga SHBA sugjerojnë se teza se koronavirusi do të ngadalësohet me ngrohjen e kohës është e pasigurtë dhe pa asnjë bazë shkencore, aq më tepër që edhe vetë shkencëtarët thonë se nuk janë të qartë sesi mund të sillet koronavirusi i ri me ngrohjen e motit.

Në fakt, janë me dhjetra viruse që bëjnë pjesë tek ajo që njihet “familja e koronaviruseve”, por vetëm shtatë prej tyre prekin njerëzit. Për katër prej tyre dihet që shkaktojnë probleme të vogla shëndetësore dhe pa fatalitete, ndërsa të tjerët, që konsiderohen me të rinj janë më vdekjeprurës dhe transmetohen nga kafshët, kryesisht nga lakuriqi i natës dhe deveja.

Zhurma se ngrohja e motit do të shmangte pandeminë globale u përforcua pas një postimi të Presidentit amerikan në Twitter. Ai vlerësoi përpjekjet kineze për përmbajtjen e epidemisë dhe theksoi se virusi do të asgjësohej “sidomos pas ngrohjes së motit”.

Duke e interpretuar këtë deklaratë ekspertët thanë se ajo ka doza me bazë shkencore, pasi viruset që prekin rrugët e frymëmarrjes, përfshirë këtu edhe të gjithë familjen e koronaviruseve të njohura deri më tani kanë si karakteristikë përkohshmërinë, pra që zgjasin me sezone, stinë.

Por, mbetet shumë e pasigurtë nëse COVID-19 do të sillet në të njëjtën mënyrë. Ata që po e studiojnë virusin deklarojnë se është shumë shpejt për të krijuar një hamendësim sesi mund të sillet virusi në temperatura më të larta.

“Shpresoj që të jetë i përkohshëm, por është shumë e vështirë për ta ditur që tani”, thotë Suart Weston i Shkollës së Mjekësisë në Universitetin e Merilendit në SHBA.

“Ekspertët nuk mund të përcaktojnë trajektoren e virusit, sepse, që të jemi të sinqertë ne nuk e njohim mirë virusin ende. E veçanta e këtij virusi është se njerëzit përballen për herë të parë me të. Nga të dhënat që kemi marrë nga homologët kinezë mund të themi se virusi ka kaluar vetëm një herë nga kafshët tek njerëzit dhe më pas ka vijuar përhapjen nga njeri në njeri”, thotë Thomas Pietschmann, virolog nga Qendra Kërkimore Eksperimentale për Infeksionet Klinike, Twincore, me bazë në Hanover të Gjermanisë.

Kjo do të thotë se sistemi ynë imunitar është përgjithësisht i papërgatitur për të, ndërsa vetë virusi shfaqet mjaft rezistent, duke qenë se është në gjendje që të jetojë deri në 9 ditë në sipërfaqe të ndryshme. Kjo rezistencë, sipas ekspertëve, e bën COVID-19 një patogjen të paparashikueshëm sesi mund të sillet me ngrohjen e motit.

Edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë kërkoi që të mos varen shpresat tek ngrohja e kohës për të mposhtur virusin në fjalë. Përfaqësuesi i këtij institucioni në Itali, Mike Ryan tha se Qeveria duhet të vazhdojë me masat e emergjencës dhe njerëzit të tregohen të kujdesshëm.